Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Raul Gonzales tha sot se “masat e zbatuara nga qeveria që në fillim të rasteve të para kanë qenë të suksesshme dhe kanë pasur impakt, në mbajtjen e shifrës të të prekurve të ulët”.
Në një intervistë televizive, Gonzales iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet që qeveria shqiptare të lehtësojë masat parandaluese që janë në fuqi deri më tani.
Ai tha se “ky është një vendim shumë delikat”. “Ajo që mund të themi është se masat e mbylljes së njerëzve në shtëpi janë efikase dhe kanë prodhuar një rezultat të mirë. Disa vende në Europë janë duke bërë të njëjtën pyetje. Mund t’ju them se unë do të doja të inkurajoja vendet t’i mbanin masat bllokuese sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo është ajo gjë që ne me siguri e kemi parë që funksionon. Çdo lloj zbutje e këtyre masave duhet të studiohet shumë, shumë, shumë me kujdes, duhet të bëhen llogaritë mirë e marrë në konsideratë efektet që do të sjellë zbutja”, tha ai.
Gonzales tha se “masat e ruajtjes së distancës i shohim në Shqipëri sikurse në të gjithë botën”. “Çdo masë e adresuar me qëllim zbutjen duhet të shqyrtohen me një kujdes shumë të madh me fokus në impaktin e tyre, natyrisht duke menduar në mënyrë ekskluzive për mos keqësimin e situatës ekonomike në vend. Nuk duhet të ketë arsye të tjera përveç atyre që nuk përkeqësojnë ekonominë. Çdo lloj lehtësimi masash i pa menduar mirë mund të sjellë rritjen e rasteve pozitive me COVID-19 e si pasojë shtim të humbjeve të jetëve të tjera”, tha ai.
Lidhur me situatën në Shqipëri, Gonzales tha se “mund të them se ne mund të jemi optimist për situatën në Shqipëri, sikurse mund të jemi gjithashtu pozitiv nëse shikojmë ç’po ndodh në vendet e tjera të Europës”. “Gjërat me infeksionin në Shqipëri janë duke shkuar mirë nëse shikojmë të dhënat zyrtare kemi 377 raste pozitiv dhe 21 të vdekur dhe meqë po më jepet mundësia dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve. Këto shifra që kemi në vendin tuaj janë të mira. Këto shifra na tregojnë një gjë. Sipas një studimi nga ana jonë e shifrave, nëse qeveria nuk do të kishte vepruar në kohë do të kishim shifra krejt ndryshe. Ky është leksioni i parë që kemi mësuar. Mbyllja totale është efektive”, tha ai.
Po ashtu, Gonzales tha se “numri i atyre që kanë humbur jetën është një indikator që për ne vlen shumë pasi kuptojmë numrin e të infektuarve”. “Të dhënat për humbjen e jetëve në Shqipëri na tregojnë dy gjëra. E para numri të prekurve është i ulët dhe situata në popullatë është nën kontroll. Numri 21 jetëve të humbura që me patjetër është i dhimbshëm për ata që humbën të dashurit por po ta analizojmë në rrafshin kombëtar për të gjithë vendin tuaj në perspektivën afatgjatë është një numër që na tregojnë se gjërat janë duke shkuar mirë”, tha ai.
Lidhur strategjinë e testimit në Shqipëri, Gonzales tha se “çdo vend duhet të zhvillojë politikat e veta të testimit dhe kjo është e lidhur me shumë gjëra si për shembull niveli transmetimit të virusit sikurse edhe gjendja e disponueshme e testeve”.
“Të gjitha vendet në botë janë duke parë për të siguruar teste. Disa vende mundet t’i sigurojnë disa të tjera janë në proces të procedurave të blerjes. E thënë kjo ne inkurajojmë politikat e testimit për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur e për të marrë vendimet e duhura. Ka vende që janë duke i zgjeruar politikat e testimit por duhet të marrim në konsideratë mundësinë e gjetjes së testeve në tregjet ndërkombëtare. Jemi në dijeni të faktit se qeveria shqiptarë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të pasur më shumë teste dhe për këtë ne po ndihmojmë. Ka një kërkesë të madhe në tregun ndërkombëtar për këtë test”, tha ai./atsh