Kryeministri Edi Rama teksa ndau mesazhin e tij për javën e ardhshme, tha se qeveria po mendon të krijojë disa lehtësira sa i përket fashës së orarit të lëvizjes së qytetarëve.
“Jam i mërzitur prej pamjeve nga tregu në Kombinat. Janë të patolerueshme dhe përbëjnë një konfirmim shembullor të nevojës për të ecur për forcimin e masave ndëshkuese për të padëgjueshmit dhe të pabindurit, teksa po mendojmë, siç ua kam thënë, ta hapim pikatoren e lehtësimeve për masën e madhe të njerëzve që po bëjnë rezistencën e duhur duke sakrifikuar dhe mirëkuptuar plotësisht të gjitha kufizimet e rënda të lirisë që i kemi imponuar njëri-tjetrit. Duam të lehtësojmë pak lëvizjen, tanimë që kemi konsoliduar mekanizmin online për lejedaljet e vetëm një anëtari të familjes për bërjen e pazarit të shtëpisë. Duam të lehtësojmë pak më shumë shërbimet bankare tanimë që edhe si rrjedhojë e paketës mbështetëse, bankave do t’iu duhet të përballojnë një lumë më të madh shërbimi. Duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private, duke iu dhënë mundësi të gjithë atyre që vijnë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë fashë orari më të zgjatur dhe të mund të përdorin automjetin e tyre. Duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale jashtë qendrave tregtare natyrisht përveç bareve, klubeve, restoranteve, palestrave dhe njësive ku mblidhen shumë njerëz. Por të gjitha këto kërkojnë një vetëdije të lartë për përgjegjësinë e secilit dhe njëkohësisht të të gjithëve, ashtu sikundër kërkojnë edhe masa të reja ndëshkimore për shkelësit”, – tha Rama.
Ajo që ndodhi në Kombinat nuk ndodhi javën e kaluar, nuk është çështja tek fasha orare siç ankohen disa, as tek liridalja për pazare në një kohë, por tek lirimi i disa vidave të zinxhirëve mbrojtës që kujtojnë se hajt se kaloi më e keqja, apo se kërcënimi i një katastrofe me mijëra të vdekur nuk është real. Më e keqja nuk ka kaluar dhe mund të na ndodhë sa hap sytë dhe mund të na marrë me vete nëse na gënjen mëndja se ia hodhëm. Dhe për këtë mjaftojnë pak koka të shkreta dhe disa njerëz hileqarë që kujtojnë se ja hedhin edhe virusit. Kjo ndodh vetëm në tregun e Kombinatit dhe tek tuk diku tjetër, por kjo del e tepron për t’i bërë gjëmën jo Tiranës, por gjithë Shqipërisë. Po të ishte halli i njëorëshit do të ndodhte me të gjithë, po të vinte nga pamundësia për të bërë me korrektesë detyrën do ishte një fenomen e do na kishte rënë zjarri me kohë”, tha Rama.
Ai tha se kjo ndodh, sepse ka disa që nuk po duan të kuptojnë./atsh
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/239884847400375/?t=0