Pas një seance maratonë të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës pas votimit të hapur, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, u votua për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Në sallë qenë të pranishëm 117 deputetë. Ra në sy vota kundër mocionit e kryeparlamentares Vjosa Osmani nga radhët e LDK.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në seancën ku dhe u votua mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së tij.
Kurti, e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se ishte krenar për kabinetin qeveritar, teksa ka përmendur edhe vendimet që kanë marrë që prej kur e kanë nisur punën.
“Jo vetëm që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar veten, sot mund të them që jam krenar me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij, qysh në fillim i përgjysmuan pagat e kabinetit qeveritar, po jo edhe pagat e sistemit të drejtësisë, dëshiruam të tregojmë se çfarë konsiderojmë vlerë, i shkarkuam 7 koordinatorët e panevojshëm nacional, u aprovua mbështetja financiare pas stuhisë në komunën e Pejës dhe të Istogut, u shkarkua bordi i Telekomit, u shfuqizua vendimi për pagat e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pasi përfundojnë mandatin.
Ndarja e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro për dëmet nga tërmeti si shtesë për shumë ndihma, u shkarkua bordi i Infrakosit, u shfuqizua vendimi ku ju bëheshin favore këshilltarëve. Kemi ndarë një shumë prej 10 milionë euro për luftimin e virusit korona.
Vetingu që përbëhet nga 10 profesionistë, e ministrat tanë kanë bërë një punë të madhe dhe të palodhur. Shfuqizimi i vendimeve për emërimin e 14 konsujve të kotë. Aprovimi i buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kurti, ku ka përmendur edhe masat që kanë marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ai ka përmendur edhe heqjen e tarifës deri më 1 prill, ndërsa ka thënë se pastaj do të vazhdohet me reciprocitet./KosovaPress/