Loading...

Rritja abuzive e çmimeve/Ilegale në kohë paqeje, kriminale në kohë lufte

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot si ilegale në kohë paqeje dhe kriminale në kohë lufte rritjen abusive të çmimeve.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me mbështetjen që do t’I japë qeveria biznesit si pasojë e kësaj situate, Rama u shpreh se, “Çfarë mbështetje t’i japim ne atyre të shumicës, disa prej të cilëve po fitojnë më shumë tani sesa ç’fitonin më përpara sepse po rrisin në mënyrë abuzive çmimet dhe detyrojnë shitësit e pakicës që të bëjnë fatura fallso. Kjo është ilegale në kohë paqeje, ky është krim në kohë lufte”.

Rama tha se, “asnjë shtet nuk ka për të mbështetur biznesin përtej domosdoshmërisë për të mbështetur njerëzit që punojnë në ato biznese dhe këtë gjë do ta bëjmë dhe ne dhe për të mbështetur vazhdimësinë e këtyre bizneseve duke mbajtur parasysh bizneset që janë prekur realisht”.

“Për shembull në Shqipëri është prekur realisht turizmi dhe nëse unë fola për kompanitë e mëdha nuk kisha parasysh ata që janë në turizëm. Ata të mëdhenj apo më të vegjël duhen mbështetur, patjetër. Por nuk duhen mbështetur dhe duhet të na mbështesin ata që ndërkohë po vazhdojnë aktivitetin”, tha Rama.

I pyetur mbi sugjerimet e biznesit të madh, Rama theksoi se, “i kam dëgjuar sugjerimet e tyre, por kam unë një sugjerim për biznesmenët dhe kompanitë e mëdha. Sugjerimi im është që ata të parët duhet të kuptojnë se jemi në luftë dhe janë ata të parët të cilët duhet të mbajnë radhën dhe t’jua lënë të tjerëve kohën për të kërkuar sepse ka të tjerë që janë në një pozitë shumë më të vështirë se ata. Ata janë shumë të rëndësishëm, por janë të fundit në radhë për të hapur gojën në kohë lufte e lëre pastaj për të kërkuar gjëra të cilat janë mësuar t’i kërkojnë sa herë bëhet buxheti i shtetit qysh përpara se të shfaqej ky armik që na ka hyrë në territorin e vendit. E di unë se për kë po flasim dhe e di shumë mirë se për kë po flas dhe e di shumë mirë se për çfarë po flas”.

“Me këtë nuk dua të them që ne ata nuk do t’i konsiderojmë, por ata bëjnë shumë që në këtë luftë si të gjithë të pasurit e kësaj bote në çdo luftë, të jenë në krah të popullit dhe jo në krah të xhepit të tyre. Të jenë në krah të shtetit dhe të mos e shohin shtetin si një bankë alternative që mund të jetë aty për të plotësuar kërkesa që nuk janë kërkesa lufte, por që janë thjesht dhe vetëm dëshira paqeje”, tha Rama.

“E them këtë sepse është e rëndësishme që t’u ngulet të gjithëve në mendje që kjo është luftë dhe ky shtet që është shtëpia jonë e përbashkët ka prioritete si çdo familje që ka prioritete në shpenzimet e veta. Si çdo familje në duam të kemi më shumë se çkemi, por ama me atë që kemi vendosim prioritete”, u shpreh Rama.

“Prioritete janë fëmijët, janë të moshuarit, janë ata që janë në një biznes të vogël, prioritet janë ata të cilët janë të punësuar tek bizneset e mëdha dhe sigurisht pastaj vijnë këta të mëdhenjtë, që mos gabohem vitin e shkuar kanë marrë nga dividenti një shumë goxha të madhe. Është koha që atë shumën goxha të madhe nga dividenti ta vendosin në dizpozicion të luftës dhe të njerëzve të tyre. Se ata që punojnë në kompanitë e tyre janë njerëzit e tyre dhe të mos planifikojnë blerje veturash të reja, të mos planifikojnë pushime në vendet më të shtrenjta të botës, të mos planifikojnë shumë nga atyo gjëra pa të cilat jeta vazhdon dhe mund të jetohet fare mirë në kushtet e tyre”, u shpreh Rama.

Sa i përket sugjerimeve të bizneseve, Rama tha se, “ne kemi marrë parasysh gjithçka që ne mund të bëjmë. Kreditë janë shtyrë për 3 muaj për ta dhe ata duhet t’u drejtohen bankave të provojnë vështirësinë që kanë pasur dhe menjëherë do të marrin mbështetje. Por shtyrja me një vit e kredive do të thotë t’i lëmë bankat pastaj në pikë të hallit. Për çfarë arsye ne duhet të shtyjmë pagesën e taksave të kompanive të mëdha. Me çfarë do ta financojmë ne luftën ënse shtyjmë pagesën e taksave të komapnive të mëdha. Sepse taksat nuk janë indulgjenca që kompanitë ia bëjnë qeverisë, janë detyrime që janë të pashmangshme. Kështu që këto janë dëshira në kohë paqe, këto nuk janë sugjerime për kohë lufte. Dhe këto tregojnë se disa prej këtyre njerëzve të nderuar s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në luftë. Dhe nuk është bërë deti kos, dhe nuk ka për t’u bërë kos, pod he liqenet me kos që kanë duhet t’i shohin si hapësira ku duhet të mblidhen pak këta”.

“Jam shumë i drejtpërdrejtë sepse unë jam ai që në kohë paqe akuzohem si i oligarkëve padrejtësisht, por duhet të jem i drejtpërdrejtë. I kam respektuar, i respektoj maksimalisht, e konsideroj absolutisht të turpshme që ata njerëz që kanë ngritur biznese të mëdha, që mbajnë në punë me mijëra familje të akuzohen dhe baltosen siç janë akuzuar dhe baltosur. Por sot është koha që t’u them atyre që jeni të parët që duhet të sakrifikoni për popullin shqiptar sepse nëse ju nuk sakrifikoni dhe nëse pasojat e mos sakrificës tuaj bien mbi popullin nuk ka më një vend ku ju të mund të vazhdoni të bëni biznes rehat”, tha Rama./atsh