Loading...

Shqipëria, në rreshtin e parë të vendeve që ekzekutuan masa drastike ndaj COVID-19

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që po ekzekutojnë masa drastike për frenimin e përhapjes së COVID-19.

“Ne jemi në rreshtin e parë të vendeve në ekzekutimin e masave shtrënguese por asnjë vend, asnjë ekspertizë dhe asnjë llogari fantazi ekonomike nuk e ka pëfshirë deri më sot, pjesën kritike të zinxhirit ekonomik dhe planit të masave drastike të kufizimit të aktivitetit njerëzorë brenda territorit, asnjë. As Italia tani që flasim nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli që ka mbyllur në karantinë të detyruar mbi 100 mijë vetë dhe që i dënon me burg nëse e shkelin, nuk i ka mbyllur fabrikat. As Franca që nesër kalon në shtetrrethim total, pas orës 18.00 të ëdo dite nuk do të mbyllë asnjë fabrikë, madje ne deri tani që flasim jemi po ashtu i pari vend që mbyllim totalisht transportin publik qytetas dhe ndërqytetas në rang republike. Apo jemi ndër të paktët akoma, me saksionet e reja për këmbësorët që hyn në fuqi nesër. Kur Kina mbylli Vuhanin me 40 milionë banorë, hapi fabrikat fason për prodhimin e maskave dhe sot që flasim, vendet po bëjnë të njëjtën gjë. Njëri pas tjetrit. asnjë vend nuk është gjendur i përgatitur me të gjithë sasinë e nevojshme të maskave për përdorim masiv dhe respirator mjekësor për pacientët në gjendje të rëndë. Kudo është shpërndarë stoku, i ashtuquajtur i skaduar dhe po ngrihet me shpejtësi marrëmendëse, një industri e tërë për prodhimin e maskave, ashtu sikundër vendet kanë ndaluar qysh herët eksportet e materialeve mjekësore që duhen për përballimin e kësaj situate”, u shpreh Rama.

Sipas Rames, ekspertët ndërkombëtarë lidhur me punonjësit që duhet të shkojnë në punë thonë se “masat mbrojtëse në një mjedis të kontrolluar pune, në hallkat kritike të zinxhirit ekonomik dhe zbatimi i këshillave nga vetë punonjësit për të ruajtur distancën, për të larë duart, për të shmangur kontaktet fizike, funksionojnë. Ne u kemi kërkuar pa pushim kompanive të marrin masat e thjeshta por të domosdoshme për të mbrojtur personelin dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Kemi përcaktuar në aktin normativ, masat special ndëshkuese për kompanitë që do të kapen në shkelje dhe kemi në terren grupet e inspektimit. E di shumë mirë që idealja do të ishte që e nesërmja e ardhshme të na garantohej nga zoti dhe asnjë frymë e gjallë të mos dilte nga dera e shtëpisë, por zoti na ka dhënë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes që nëse duam t’i përdorim sa dhe si duhet, të bëjmë mrekullira për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Ndërsa punët e tjera na i ka lënë ne, njerëzve. Prandaj duhet të jem i qartë fare, motra e vëllezër. Kjo është luftë dhe në luftë jemi një, por nuk jemi të githë njësoj. Sepse disa prej nesh duhet të dalin sot nga shtëpia që kur të mbarojë lufta, të mos na zërë brenda shtëpia jonë e përbashkët./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com