Loading...

“Rindërtimi jo thjesht politikë strehimi”/Rama: Mundësi e re dhe më e mirë ekonomike, urbane dhe sociale

“Në ambicien tonë, Rindërtimi nuk është thjesht një politikë strehimi në zona të caktuara, por është një mundësi e re për vendin që të ecë me një shpejtësi të re drejt një situate më të mirë ekonomike, urbane dhe sociale”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, të cilës iu bashkuan edhe përfaqësuesit më të mëdhenj të komunitetit të Donatorëve.

Kryeministri theksoi se “Programi i Rindërtimit nuk është thjesht një program që duhet të trajtoj dëmet nga tërmeti, por është një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar në të njëjtën kohë një program që duhet të jetë një model transparence, efikasiteti dhe rezultatesh të shkëlqyera për njerëzit së pari e mbi të gjitha për Shqipërinë”.

Rama tha se “duke bërë këtë gjë së bashku ne përcjellim një mesazh mjaft të qartë për komunitetin e Donatorëve dhe për popullin shqiptar dhe këtë e bëjmë duke theksuar objektivin tonë të përbashkët për të bërë më të mirën, me atë fillim fantastik që patëm më 17 shkurt në Bruksel”.

“Ne e dimë shumë mirë që ka rezultate të ndryshme në përballimin e katastrofave dhe situatave pas tyre në vende të ndryshme dhe po kështu edhe brenda të njëjtit vend. Ka përvoja suksesesh të mëdha, siç ka edhe përvoja të hidhura dështimi. Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë, i kemi kaluar të gjitha ato dhe jemi përpjekur të kuptojmë se si është ndërtuar suksesi, apo përse ka ndodhur dështimi. Mbështetur në të gjitha këto dhe duke qenë mjaft i vetëdijshëm se për ne kjo është përvoja e parë, sepse na duhet të merremi me diçka që Shqipëria nuk është marrë kurrë më parë, menduam se gjëja më e mirë për të bërë është të kërkonim me mjaft përulje ndihmën tuaj”, tha Rama.

Ai tha se pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në këtë tryezë, jo thjesht do të garantojë palët, por edhe mund të sjellë këtu mjaft njohuri falë ekspertizës të jashtëzakonshme që kanë ndërtuar përgjatë shumë viteve në vendet dhe organizatat e tyre”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com