Loading...

Koronavirusi/ Rama: Mbrohuni nga infodemia, në Shqipëri asnjë i prekur deri tani

Kryeministri Edi Rama shprehu sot domosdoshmërinë që qytetarët të mos i referohen burimeve jozyrtare lidhur me koronavirusin dhe të mbrohen në radhë të parë nga infodemia, e cila siç e nënvizon OBSH, përbën një kërcënim serioz në gjithë përpjekjen për të përballuar epideminë.

“Prej epidemisë së lajmeve të rreme, e të dhënave të falsifikuara apo fabrikuara e klikimeve marramendëse në burime të infektuara të informimit, qytetarët duhet të ruhen dhe mbrohen vetë me vetëdijen se të gjitha këto burime të infodemisë, shkaktojnë ankth, pasiguri alarme krejtësisht të pakëshillueshme në kushtet kur duhet përballuar epidemia”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, “e dhëna e fundit zyrtare lidhur me vdekshmërinë e personave të prekur nga koronavirusi ka rënë nga 3% në 2.3%”. “E gjithë pjesa tjetër 97.7% e ka përballuar dhe e përballon pa pasoja për jetën këtë epidemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ta mbajtur mirë parasysh sepse nëse shohim efektet e infodemisë, fjala ‘vdekje’ dhe lajmet për të vdekurit janë më shumë se lajmet për të shëruarit, por realiteti është krejt ndryshe nga çfarë mund të perceptohet, nëse hyn në kanalet e informimit pa maskën e vetëdijes”, shtoi Rama.

Duke folur për maskat, Kryeministri tha se “thirrja e OBSH-së është mos rendni për të blerë maska dhe mos harxhoni lekë për maska, pasi ato nuk mbrojnë personat nga prekja”.

“Maskat janë të dobishme për personelin mjekësor, vetë të prekurit dhe për ata që u shërbejnë personave të prekur. Për të tjerët nuk kanë asnjë dobi dhe nuk mbrojnë asnjë gjë. E gjithë histeria që ka përfshirë gjithë botën, është thjesht dhe vetëm harxhim i kotë i parave dhe mbushje e arkave për ata që shesin maska”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Ministria e Shëndetësisë ka 1 milionë dollarë plus për të adresuar të gjitha problematikat dhe sot numëron 1.2 milionë maska të shpërndara apo marra nga qytetarët”.

Për sa i përket trajtimit të përditshëm dhe përminutshëm të kësaj problematike, Rama tha se nga Ministria e Shëndetësisë dhe gjithë sistemi i vënë në dispozicion për të përballuar këtë kërcënim janë kryer 31 testime te personat me simptoma të dyshimta që rezultuan negative”.

“Asnjë i prekur deri tani. Në numrin 127 të Urgjencës Kombëtare ka në dispozicion mjekë dhe infermierë që përgjigjen. Urgjenca trajton 1400 thirrje në ditë, kryen verifikime për të gjitha ato raste kur shpjegimet e telefonuesve shkaktojnë dyshim dhe nga 400 verifikime të kryera asnjë rast nuk rezulton i prekur nga koronavirusi. 16 mijë kontrolle janë kryer në pikat kufitare dhe i gjithë sistemi është i angazhuar në funksion të parandalimit të përhapjes, duke pasur gatishmërinë për të bërë identifikimin e rastit të parë që ende nuk është shfaqur”, tha Rama.

Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që të mos alarmohen nga infodemia dhe të qëndrojnë larg lajmeve dhe informacioneve jozyrtare”. “Vendosni maskë në vetëdije për të përballuar rezultatet e klikimeve kuturu në portale që flasin vetëm për vdekje dhe fundin e botës. Fundi i botës nuk po afron dhe koronavirusi nuk kërcënon të sjellë fundin e botës. Statistikat e deritanishme mbi personat që për fat të keq kanë humbur jetën, thonë se prek më të moshuarit fare në mënyrë shumë kërcënuese për jetën dhe të sëmurët. Deri tani është kapërcyer me sukses të plotë nga fëmijët dhe personat e shëndetshëm”, tha Rama.%atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com