[sgmb id=”1″]
Në familjen e Marvi Mihalit të afërmit e 22-vjeçarit të vrarë për një karikues celulari nuk duan të japin deklarata në media apo intervista në lidhje me fatkeqësinë që u ka ndodhur.
“Ia kemi lënë në dorë shtetit dhe policisë hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, bëjnë me dije të afërmit e studentit të Drejtësisë.
Të afërm të të riut që humbi jetën pak ditë më parë në Tiranë nga gjashtë goditje me thikë, sqaruan dje për “Panoramën” se Marvi Mihali nuk kishte blerë dhe as kishte shitur asnjë telefon tek Eugen Bitraj, i akuzuar si autor i vrasjes, por as te personat e tjerë që u përfshinë në krimin e rëndë.
Sipas të afërmve të studentit të ekzekutuar me thikë pranë stadiumit “Selman StÕrmasi”, Marvi Mihali është thirrur në vendin e ngjarjes nga një shok i tij dhe kjo telefonatë është e regjistruar në telefonin e 22-vjeçarit.
“Marvi Mihali ka qenë me të paktën pesë vajza dhe persona të tjerë të fakultetit ku studionte, kur është telefonuar nga një i njohur i tij. Ka dëshmitarë dhe fakte për këtë gjë, pasi personat që ishin në tavolinë e kanë pyetur përse po ngrihej, përse po shkonte”, bënë me dije të afërmit e studentit të vrarë.
Ata thanë se Marvi ka shkuar në skenën e ngjarjes pa e ditur se aty e prisnin persona të pajisur me thikën me të cilën do ta qëllonin më pas në zemër.
“Është bërë kontrolli nga policia dhe sekuestrimi i sendeve të Marvit. I kanë gjetur telefonin e tij, portofolin ku kishte kartën e identitetit dhe disa para të dhëna nga familja. Marvi nuk kishte asnjë thikë, asnjë kaçavidë apo çfarëdo tjetër me vete. Ai shkoi atje pa e ditur çfarë e priste dhe fare i papërgatitur”, theksojnë më tej të afërmit e 22-vjeçarit.
Sipas tyre, studenti i Juridikut është përballur me personat që e vranë pa kontaktuar me ta paraprakisht, pasi në vendin e ngjarjes së rëndë shkoi i telefonuar nga shoku i tij.
“Nuk ka asnjë telefonatë apo mesazh të këtyre personave në telefonin dhe në adresën e Marvit apo e kundërta e kësaj. Ai nuk kishte shitur apo blerë telefon, nuk e lidhte asgjë me këta njerëz”, bëjnë me dije më tej të afërmit e studentit.