Loading...

Paketa anti KÇK/ Brenda 48 orësh subjektet e ligjit duhet të plotësojnë formularin për burimin e pasurisë, të tregojnë sa fort kanë punuar

Paketa anti “KÇK”, është një instrument në duart e Policisë për t’i dhënë atdheut atë që kërkon prej shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij sot në repartin “RENEA”, përpara efektivëve të Policisë, pjesë e grupit “Operacioni Forca e Ligjit”, tha se përmes paketës anti KÇK, “nuk do e lëmë atdheun tonë që të shihet me njolla para syve të partnerëve tanë”.

“Sot ka gjykatës e prokurorë që s’kanë për ta kaluar kurrë Vetingun dhe jetojnë nën togën e zezë sikur të ishte në ditën e fundit të pazarit të madh të gjësë së gjallë me moton kap ça të kapësh. Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata do përgjigjen në mos sot nesër, sepse njësoj si sot erdhi koha të përgjigjen të gjithë të fortët e të paprekshmit për të gjitha pasurit e tyre, bizneset, shtëpitë, tokat, makinat, do të vijë koha edhe për ata”,- tha Rama.

“Vetingu nuk është gjykatë nuk është as prokurori dhe nuk ka për detyrë të ndëshkojë ato që kanë vënë pasuri të marramendëse duke përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, faza ku ata që nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre largohen nga sistemi dhe ndërkohë ata që dalin të pastër, siç janë anëtarët e SPAK, që futen në sistem dhe siç ndodh me këtë operacion, nga nesër janë sistemi i ri që së bashku me “OFL” dhe bashkë me të gjithë Policinë e Shtetit do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre dhe jo më, të stërmundohet gjithë policia bashkë me prokurorinë për të gjetur provat dhe për të provuar para gjykatësish që në të shumtën e herës janë kriminel e nuk janë gjykatës, dhe në të shumtën e herës duhet të ishin bashkë me subjektet e këtij ligjit, e jo për t’i thënë policisë e prokurorisë se nuk e ke mirë dosjen, se nga i burojnë pasuritë”,- theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se aksioni nis të hënën.

“Nga nesër një letër do t’u drejtohet këtyre subjekteve dhe do t’u kërkohet që brenda 48 orësh të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre dhe pastaj formulari do shkojë te SPAK dhe nga SPAK në gjykatë dhe ata do duhet të vijnë përpara gjykatësit dhe do duhet t’u tregojnë se sa fortë e kanë punuar tokën, se sa ullinj e portokall kanë mbledhur, se sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte dhe se sa shumë janë lodhur e stërmunduar në fasoneri dhe sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit nëse duan t’i mbajnë ato pasuri që kanë, përndryshe gjithçka që ata kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e Policisë së Shtetit”,- theksoi Kryeministri.

“Gjithçka dhe kjo nuk do të vazhdojë si në atë proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës gjatë gjithë këtyre dekadave, ku në fund fare personave me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. Fillimisht 48 orë për plotësimin e formularit, më pas, deri në 15 ditë SPAK dhe deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo e imja se nuk është prona ime për ta, por është prona e të gjithëve që gëzojnë ata. Dhe me pasuritë e tyre ne do të rrisim në radhë të parë rrogat tuaja. Pasuritë e tyre do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj. Me pasuritë e tyre do të mbështesim fëmijët e policëve të vrarë në detyrë. Do të mbështesim akademinë e sigurisë ku dalin gjeneratat e reja të Policisë së Shtetit dhe natyrisht me mjetet e tyre motorike ne do të shtojmë kapacitet motorike të Policisë së Shtetit”,- garantoi Rama.

“Paketa anti KÇK parashikon jo vetëm kaq, por parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon kufizimin e lëvizjes së këtyre subjekteve jashtë njësisë së tyre administrative. Jo të nisen me autokolona makinash luksoze nga ana e anës dhe të shkojnë të nxjerrin pushkën në plazhet e Himarës e Dhërmiut mu në mes të sezonit, aty ku mblidhen mijëra të rinj e turistë”,- shtoi Rama.

“Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tender apo në çdo lloj aktiviteti ku ka 1 qindarkë nga taksat e qytetarëve. Ligji parashikon heqjen e të gjitha licencave që ata disponojnë dhe ju e dini shumë mirë. Kush e di sa herë jeni ndjerë të fyer dhe kush e di sa herë me vetën tuaj, me plot të drejtë keni pasur nevojë të shfryni kundër shtetit, kur keni parë këta që kanë roje, këta ruajnë me polici private, këta nuk do gëzojnë më asnjë licencë nga ato licenca që kanë në dispozicion. Këto kanë mjete ndriçimi të posaçme, kanë sisteme videosh, e survejimesh që nuk do ti gëzojnë, ose duhet të provojnë se këto i kanë blerë duke shitur domate, patate, apo rroba të përdorura te gabi. PO e pro vaun këtë ti gëzojnë!”,- theksoi Rama

“Dhe e fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, për ata të cilët godasin shtetin dhe policinë e shtetit, shtetin dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në kapjen e tyre mostrave jo me plumba, por më keq se plumbi, por me çekiçin e drejtësisë dhe e godasin pas shpine. Për çdo rast kur, ne shteti do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim paketa kërkon brenda tre ditësh pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ta. Ata janë bashkë, ju e dini shumë mirë, që ata sot, edhe tani që po na shohin, janë bashkë. Dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin, të dyja palët. Ju siguroj për këtë”,- tha Rama.

“Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika legjitime edhe për qeverinë, por një gjë jam i bindur se nuk e thoni dot. Ju nuk thoni dot që në këto vite ju jeni tradhtuar që në këto vite ju nuk jeni respektuar dhe që në këto vite kushtet tuaja nuk janë përmirësuar edhe rroga juaj nuk është rritur edhe pse nuk mjafton, asgjë nga këto nuk mjafton, dhe në fund fare që në këto vite keni parë mungesë dëshire dhe vullneti nga ana ime dhe ana jonë për tju mbështetur fuqimisht në atë që ju keni detyrë”,- u shpreh Kryeministri.

“Ndërsa të tjerët dalin shkojnë në punë apo kërkojnë punë, puna juaj është luftë, është luftë në shërbim të atdheut. Unë jam shumë krenar që së’bashku ne mund t’i japim atdheut ne me këtë fazë me këtë paketë, dhe me aftësitë tuaja atë që atdheu kërkon pas kaq shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne s’mund ta lëmë atdheun tonë që të shikohet në me njolla në fytyrë, para syve të partnerëve tanë për shkak të atyre që duhet të ishin bashkë me ju bashkë me ne në rolin e prokurorit të gjykatësve, por që janë me ata kriminelët dhe së bashku njollosin ne njollosin atdheun. Falë këtij operacioni ne do mund të jemi krenar që jemi sot bashkë dhe do të mund ta kujtojmë me shumë krenari të punës sonë të përbashkët dhe do mund ti japim njerëzve të zakonshëm mesazhin se nuk ka shans që ata të cilët deri sot janë veshur me pushtetin informal të krimit dhe të korrupsionit në gjykata e prokurori t’ju a bëjnë ferrë jetën e tyre në komunitet, në njësinë administrative, bashkinë ku taksirati ia sjell t’i kenë fqinjë mostra të tilla, jetën e tyre ku duhet të presin me zemër të ngrirë fëmijët që ju vijnë pasi errësohen, pse? Se kanë shkuar me shokët në klubet e natës”,- tha Rama.

“Ju siguroj mbështetjen tonë dhe ju uroj shumë sukses të gjithë anëtarëve të OFL, duke e mbyllur me lutjen që të kuptoni se ju keni në dorë të bëni një investim të madhe të shtoni kreditë e larta por që do të jenë edhe më të larta të Policisë së Shtetit dhe të shtoni kreditë e vendit ton ë në sytë e njerëzve të vetë dhe miqve tanë”,- përfundoi Kryeministri. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com