[sgmb id=”1″]
Ministria serbe e Drejtësisë premtoi të respektojë të drejtat e Ismail Morinës nëse ekstradohet nga Kroacia, por në Shqipëri familjarët dhe mbështetësit e tij pretendojnë se atij i rrezikohet jeta nëse dërgohet në Serbi.
Nga Filip Rudic
Ministria serbe e Drejtësisë tha për BIRN se do t’i garantojë Ismail Morinës, të dyshuarit për ngritjen e dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri të njëjtat të drejta personat e tjerë që Beogradi kërkon të ekstradojë, por nuk ofroi garanci shtesë për sigurinë e tij, ndonëse familja e tij ka frikë se ai do të kërcënohet nëse dërgohet në Serbi.
“Si në të gjitha rastet e ekstradimit deri më tani, Serbia garanton të drejtat e personave të cilëve u kërkohet ekstradimi sipas rregullave vendase dhe ndërkombëtare”, tha për BIRN ministria.
Ministria nuk pranoi të komentojë më gjerë çështjen, pasi vendimi përfundimtar mbi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Morinës nuk është marrë ende nga autoritetet kroate.
Morina zemëroi nacionalistët serbë në tetor 2014 kur fluturoi mbi fushë një dron që mbante një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Policia kroate e arrestoi Morinën në Dubrovnik në qershor, sipas një urdhërarresti serb, ndërsa ky po shkonte në Itali, ku jeton prej vitesh me familjen. Avokati i Morinës, Darko Butigan, i tha BIRN të hënën se klienti i tij po kërkon azil politik në Kroaci, sepse nuk mendon se do të marrë një gjykim të drejtë në Serbi.
Butigan tha për televizionin shqiptar Top Channel se Serbia e kishte akuzuar Morinën për nxitje të akteve kriminale mes kombeve, një akuzë që mund të rezultojë deri në tetë vjet burgim. Vëllai i të dyshuarit, Xavair Morina, tha për televizionin Report TV se beson se jeta e Ismail Morinës do të rrezikohej nëse ai do të ekstradohej në Serbi.
Ministria shqiptare e Drejtësisë i ka kërkuar homologut të saj kroat të pezullojë kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se është në kundërshtim me konventat europiane të ekstradimit dhe me të drejtat e njeriut. Të shtunën e kaluar, tifozët shqiptarë të futbollit protestuan përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku u bënë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të ndaluar ekstradimin e Morinës.
Morina ka pasur gjithashtu fërkime me ligjin në Shqipëri në të kaluarën. Në tetor 2015 policia shqiptare e arrestoi atë ndërsa i jepte makinës, ku iu gjet një pistoletë në brez dhe një tjetër e fshehur në makinë.
Policia gjithashtu gjeti 36 bileta me emra të ndryshëm njerëzish që do të ndiqnin ndeshjen e futbollit të Shqipërisë kundër Serbisë në Elbasan. Në dhjetor të vitit 2015, ai u lirua nga paraburgimi. Gjykata e Lartë në Kroaci nuk ka vendosur ende nëse do ta ekstradojë Morinën.