Loading...

PRAPASKENAT:SI U NGJIT META DREJT PRESIDENCËS?

[sgmb id=”1″]

Betimi i Ilir Metës si presidenti i 7 i republikës së Shqipërisë nuk është një rastësi. Ai është finishi i një projekti të nisur këtu e pesë vite më parë, kur pas një armiqësie të gjatë, ai dhe Edi Rama filluan të shkrinë akujt. Meta ishe ende në koalicion me Berishën dhe bashkë me të po bëhej gati të zgjidhte presidentin e gjashtë të vendit që më pas do të ishte Bujar Nishani. Megjithëse i kishte ndejtur mëse besnik Berishës që kur ishte rrëzuar nga posti i zv/ kryeministrit, kryetarit të LSI-së kishin nisur t’i akumuloheshin pakënaqësitë e para. Dëshira e Berishës për të kontrolluar gjithçka, tentativat për të marrë edhe kontrollin e ShIK-ut, me gjithë zemërimin e amerikanëve dhe sidomos kokfortësia për ta zgjedhur presidentin nga figurat e larta të PD-së, pa pyetur fare koalicionin, kishin formësuar krisjet e para. Në këtë kuadër Meta vendosi të rifillojë kontaktet me Edi Ramën. Fillimisht me stilin e tij tashmë të njohur “sa për të bërë presion”.

Meta vetë ishte i sigurtë se Rama qe në ditë të hallit. Se ai kishte humbur zgjedhjet e vitit 2009, si pasojë e prishjes me LSI-në, kishte dorëzuar dy vite më pas edhe bashkinë e Tiranës për të njëjtën arsye dhe në këtë pikë ishte dëshpërimisht i fiksuar për pajtim.

Në këtë situatë ndodhi daraka e famshme e ngjalave në vilën madhështore të Ilir Metës në Lalëz. Aty Rama i kërkoi disa herë të falur për kurthin që i kishte bërë me Tom Doshin dhe Dritan Priftin për ta futur në burg dhe midis tyre u vendos komunikimi, që do të kurorëzohej një vit më pas, me koalicionin e 1 prillit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u përmend për herë të parë edhe ideja e një dysheje të pamposhtur, Rama kryeministër në 2013 dhe Meta president në 2017.

Konsolidimi i mëpasëm i marrëveshjes, ndarja e LSI-së me PD-në e forcoi këtë ide. Në disa nga takimet e shumta, para se Ilir Meta të shkonte në zyrën e Berishës për të shpallur divorcin, ai dhe Rama ranë dakord edhe për detajet e ndarjes së pushtetit. Madje një dëshmitar i njërit prej këtyre bisedimeve sekrete i ka pohuar Lapsit se ekziston edhe një dokument i hartuar me shkrim dore, një nga pikat e të ciliit është votimi i Metës si president. Edhe në rrethin e Ramës edhe në atë të Metës të gjithë ishin të bindur – katër vite më parë – se në kjo do ishte rruga ku duhej ecur.

Por pushteti shpesh krijon trille të tjera nga ato që projektuesit e tij parashikojnë në letër.

Pasi u ngjitën në qeverisje Rama dhe Meta pakti mes tyre ishte ende në fuqi. “Rama pavarësisht se ndonjëherë i shkelte syrin Kodhelit, apo jepte sinjale sikur kërkonte ndonjë personazh mbi palët, publikisht ka thënë gjithmonë se presidentin do ta zgjedhë në bashkëpunim me bashkëkryetarin e koalicionit. Por edhe privatisht, ai nuk e ka mohuar kurrë se ia kishte premtuar Metës atë post” thotë për Lapsi.al një njeri shumë pranë kryeministrit. Ndërsa një gazetar pranë Ilir Metës i kontaktuar nga ne pohn të njëjtën gjë por shton: “Po është e vertetë që Edi i’a ka premtuar Ilirit, por në pjesën më të madhe të kohës Meta ishte dyshues. Ai pyeste shpesh: po a më leverdis ta lë partinë? Ç’farë vlere ka presidenca kur kompetencat e saj janë rralluar shumë”?

 

Në fakt dy gjëra e mbanin të ngritur hezitimin e Metës. E para sepse mardhëniet me Ramën degraduan me shpejtësi. Që pasi kryeministri organizoi shpërthimin e aferës DIA – CEZ, ku siç është vërtetuar tashmë ministrat i kalonin dokumente konfidenciale gazetarëve, një gjë ishte e qartë: Rama e donte Metën në rastin më të keq në burg, dhe në rastin më të mirë të diskrediduar publikisht.

Përpos kësaj thyerje të parikuperueshme Rama marshoi edhe në një drejtim tjetër. Megjithëse e dinte se presidencën ia kishte premtuar Metës, ai u kujdes që me anë të ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi t’a zhvishte postin e kreut të shtetit edhe nga kompetencat që i kishin mbetur. Dhe në fund ai humbi çdo kontroll mbi sistemin e emërimit dhe influencës mbi gjyqtarët. Tani kishte thjesht një rol honorifik.

Madje dëshmitarë të njërës prej përplasjeve më të mëdha Rama- Meta në kohën kur LSI kishte flluar të hapte gojën dhe të fshikullonte qeverisjen raportojnë një bisedë të zhvilluar në zyrën e kreut të kuvendit kur të dy bashkëkryetarët e koalicionit po sqaronin qëndrimet e tyre.

Meta: Ti po rëshket në autoritarëizëm….Unë nuk do ta lë shqipërinë në dorën tënde…

Rama: Po ç’janë këto që thua Ilir, ç’farë autoritarizmi ne pushtetin e kemi të ndarë bashkë… Edhe një vit dhe t’i do marrësh edhe presidencën…

Meta: Ti ke kohë që nuk e përsërit më këtë…

Rama: Atë e kemi mbyllur. Të takon ty të thuash nëse do të shkosh apo jo…

Meta: Po presidenti tashmë nuk ka asnjë kompetencë….

Rama: Po pse ç’kompetencë ka Kreu i Kuvendit….Peshën postit ia jep personaliteti i atij që e mban. Ti president ajo detyrë merr një peshë disa herë më të madhe…

Megjithëatë Meta ishte për një kohë të gjatë në mëdyshje për të thënë “JO” ose “PO”.

Ai nga njëra anë bëri gjithçka për të krijuar një imazh presidencial. E filloi me kohën e pakufizuar për Berishën në kuvend, për të joshur demokratët, ruajti gjatë gjithë mandatit qëndrime të ekuilibruara mbi palët, dhe arriti kulmin me lançimin e slloganit “Me qetësi dhe dashuri”, që simbolizonte më mirë se çdo gjë kostumin që donte të mbante të zhveshur.

Por, nga ana tjetër kur pyetej në intervista televizive, Ilir Meta e mohonte kategorikisht ambicien e tij presidenciale. E tha troç në Opinion i pyetur nga Fevziu se nuk mëtonte kreun e shtetit. E përsëriti po aq fuqishën edhe në Zonën e Arian Çanit. Madje shkoi edhe më tej. Duke dashur të qetësonte gjithkënd lëshoi një deklaratë që me siguri e ka bërë të pendohet thellë më pas: ”Edhe nëse ndodh të bëhem president, nuk do të bëhem kurrë pa konsensusin e opozitës” tha në Opinion (shiko videon poshtë).

“Në këto momente vërtet që e besoj se gjëja e fundit për të cilën Meta mendonte ishte presidenca. Tashmë sherri me Ramën ishte në apogjeun e vet dhe Iliri më shumë mendonte për mbijetesën e LSI-së, të ardhmen e saj, mbajtjen hapur të një ure komunikimi me opozitën si shantazh ndaj Ramës, sesa për të shkuar vetë në krye të shtetit. Sa më shumë kohë kalonte aq më i largët për të dukej ky opsion” tregon për Lapsi.al gazetari shumë pranë Metës.

Megjithëatë “dosja presidencë” mbetej gjithnjë e hapur. Eksponentët e PS dhe LSI kanë debatuar gjatë edhe për një fakt tjetër. Nëse Meta zgjidhej president, a duhej bërë kjo përpara zgjedhjeve parlamentare, apo pas tyre. Disa pretendonin se të dyja partive të mëdha i voliste që presidenti të zgjidhej pas zgjedhjeve. Metës sepse i linte vetes mundësinë të bënte edhe fushatën e LSI-së përpara se të siguronte veten. Ramës se nuk donte të hynte në zgjedhje me peshën se i kishte dhuruar shqiptarëve një president si ish qeveritari me bllok në dorë.

Mes këtyre dilemave erdhi periudha e çadrës së PD-së, e cila i zerroi të gjitha projektet e bëra në kohë normale.

Ky radikalizim i papritur i krijoi Ilir Metës iluzionin se tashmë kishte në dorë edhe gurin edhe arrën. Ai filloi të rakordojë me PD, të mbrojë nga zyrat e shtetit qëndrimet e opozitës, të afrohej me demokratët dhe sidomos me Berishën. Ai vuri edhe bastin e madh: “Qeveri kujdestare ose përndryshe LSI-a nuk hyn në zgjedhje pa opozitën”.

Rama po kalonte ditët më të vështira të këtij mandati. Pa PD dhe pa LSI-në që pretendonte se se nuk futej në zgjedhje pa të parën, ai e dinte që ishte i mbaruar. Pavarësisht se bënte të fortin dhe thoshte se zgjedhjet do të mbahen, ai e dinte se duhej të lëshonte gjuithçka që kjo të mos ndodhte.

Ndërkohë Basha dukej i vendosur deri në fund (jo pelivani qesharak që ka dalë sot) për t’i rënë murit me kokë. Ai ktheu mbrapsht të gjitha dërgatat diplomatike që i kërkonin të hynte në zgjedhje. Ai rrefuzoi Brukselin dhe Partitë popullore europiane që i lëshonin ultimatume për pjesmarrje.

Në këtë situatë Rama vendosi të aktivizojë premtimin e pesë viteve më parë. Aj përdori kartën më të madhe që kishte në dorë, i tregoi Metës shenjën e fundit të besimit, për ta ndarë atë nga një bojkot i mundshëm së bashku me opozitën: “Ti duhet të vendosësh nëse do të jesh president. Koha e votimit erdhi” qe mesazhi i kryeministrit.

Burime të ndryshme e tregojnë në mënyra që shpesh nuk përputhen këtë bisedë të tensionuar mes tyre. Por versioni më i përafërt që Lapsi.al ka arritur të nxjerrë është pak a shumë ky.

Rama: ka ardhur momenti që të diskutojmë për presidentin

Meta: Po unë kam si kandidaturë të parë Arta Daden (më pas edhe Monika kryemadhi deklaroi se ajo do të kish pëlqyer Daden). Eshtë socialiste e vjetër, grua, ish ministre e jashtme…

Rama: Më fal Ilir, po ti nuk mund të zgjedhësh mes njerzve të mij…

Meta: Kam edhe një të dytë, Paskal Milon

Rama: Jo Jo, oferta është kjo. Ose ti vendos deri nesër të bëhesh president, ose jo. Eshtë e vlefshme vetëm për emrin tënd. Dhe vetëm për 24 orë. Duhet të vendosësh tani. Nëse kjo histori shtyhet për pas zgjedhjeve, dhe opozita nuk hyn në to, unë nuk të premtoj më gjë. Ndoshta atëhere presidentin do të duhet ta japim si kompensim për një pakt me opozitën. Të takon ty të vendosësh…

Ndoshta orët që i është dashur të merrte këtë vendim nuk kanë qenë të lehta për Ilir Metën. Nga një anë i bënte thirrje historia e tij. Ambicia e tij. Një njeri i bërë kryeministër në moshën 30 vjeçare, zv/ kryeministër i Nanos dhe Berishës, që kishte synuar të shkonte gjithmonë më lart, që nuk ngopej kurrë, merrte një kurorëzim jo të vogël në krye të shtetit. Por ama, nga ana tjetër, ai linte pas partinë që e kish themeluar dhe ngritur vetë që nga tulla e parë. Ai detyrohej të mohonte deklaratat publike se nuk synonte presidencën. Ai përgënjeshtronte veten duke e pranuar këtë post pa bekimin e opozitës sikurse ishe betuar.

“Ilir Meta me siguri ka bërë një llogari të thjeshtë. Duke qenë se po përforcohej ideja se opozita do t’i bojkotonte zgjedhjet (emisari amerikan Hot Byan Yee nuk kishte zbarkuar ende në Tiranë) ai ka menduar se me një LSI shumë më të fuqishme në numra në parlament dhe duke qëndruar në krye të shtetit do të kishte mundësi të ishte interlokutori i parë për një krizë të paprecedentë me opozitën jashtë kuvendit. Duke pranuar këtë post ai fuqizohej shumë dhe forconte rolin e njeriut mbi palët. Ato momente ai nuk e kishte parashikuar se pasi kishte shantazhuar Bashën duke u afruar me LSI-në, Rama do të shfrynte partinë e tij duke përedorur Lulin” thotë burimi i Lapsi.al.

Në fakt ndodhi pikërisht kështu. Meta tha po. Ai u votua me plot 87 vota në një senacë blitz në kulm të krizës. Por ajo që ndodhi më pas ishte një ëndër e keqe. Basha bëri një kthesë 180 gradë. Ai u bë njësh me Ramën dhe të dy në unison filluan një gjueti shtrigash ndaj LSI-së që Meta kishte lënë jetim. Ai u zgjodh vërtet presidenti i shtatë i Shqipërisë, por ndryshe nga sa kishte menduar, falë piruetave dredharake të Ramës, në vend që të ishte një president mbi palët, rrezikon të jetë një nën to. Një kryetar shteti i vënë nën targetin e dy partive me të cilat ka ndarë pushtetin për plot tetë vite.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com