Loading...

SHQIPËRIA “BIE NË DEPRESION”!

[sgmb id=”1″]

Mungesa e mundësive për rritjen e mirëqenies, tranzicioni i zgjatur dhe mospasja e perspektivës e kanë thelluar depresionin në shoqërinë shqiptare. Importet e medikamenteve antidepresive Loram dhe Xanax u rritën me ritme dyshifrore në vitin 2016. Mjekët pohojnë se, numri i të prekurve është shtuar ndjeshëm tre vitet e fundit. Vrojtimi i Monitor në 20 farmaci tregon për përhapje të sëmundjes në mosha më të reja. Vetëvrasjet janë shtuar. Ja kostot që krijohen nga sëmundja në zhvillimin ekonomik dhe rrugët për daljen nga gjendja

Nga Blerina Hoxha

Arjana Rreli është një psikiatre me përvojë të gjatë pune, por vitin e kaluar u përball me një klientelë jo të zakontë. Biznesmenët kishin qenë pacientë të rrallë më parë, po dy vitet e fundit janë shtuar. “Siç duket, punët nuk po iu shkojnë mbarë”, pohon Arjana, e cila zotëron me kompetencë profesionin e saj dhe është më e rezervuar për shkaqet që kanë çuar në ankth të pasurit. Ky konstatim i Rrelit vjen në akordancë me një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, që në muajt e fundit të 2015-s dhe pjesën e parë të 2016-s, ishte tejet agresiv. Të gjendur përballë situatave të paparashikuara, që mund të sillnin edhe dënimin me burg, shumë biznesmenë kanë rënë pre e ankthit dhe depresionit, aq sa kanë zënë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara.

Kjo gjendje stresi dhe ankthi, që është shtrirë me shpejtësi edhe në shtresa të tjera të popullatës, i ka dhënë drejtim tjetër zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset po hezitojnë të investojnë dhe konsumatorët shmangin blerjet e mëdha.Radha në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë është e gjatë që në orët e para të ditës. Burra, gra të reja, nëna, pleq presin të çelet dera e psikiatrit.

Numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar minimalisht nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës. Depresioni është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative zinxhir në ekonomi.

E lodhur nga tranzicioni i gjatë, krizat politike dhe ekonomike që nuk po ndahen dhe me pak mundësi në sfond, shoqëria shqiptare është duke përjetuar një gjendje të thelluar të stresit. Konfirmimi vjen nga rritja dramatike e konsumit të medikamenteve kundër depresionit.

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

Zhdoganimet e antidepresivëve
Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it.

Farmacitë: Konsumi i antidepresivëve, në rritje të shpejtë
‘Monitor’ ushtroi një vrojtim në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan përgjigjet. Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, Medresesë, Siri Kodrës, 5 Majit dhe në zonën e Bllokut. Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç. Loram-i, një medikament popullor kundër shenjave të para të stresit dhe depresionit që në Shqipëri konsumohej më së shumti nga të moshuarit me Parkinson dhe Alzhaimer, tani po merret nga moshat e reja, pohojnë farmacistët. Shumica e tyre pohuan se këto medikamente po konsumohen nga kategori të shoqërisë që më parë nuk ishin klientë. Biznesmenë, punonjës të administratës, persona në vështirësi ekonomike, personat që jetojnë vetëm dhe adoleshentët janë klientët e rinj të antidepresivëve, pohojnë farmacistët. Ata shtojnë se ka një numër të madh personash që kërkojnë të blejnë pa recetë qetësues për gjumë, si Diazepam etj.

Gjithashtu shumica e farmacive të pyetura pohuan se është shtuar numri i të rinjve që konsumojnë antidepresivë. Ka rritje të numrit të rasteve nga të rinjtë që konsumojnë hashash, efekti i të cilit në disa persona është gjendja e depresionit. Kështu që përdoruesit e hashashit, në një masë të konsiderueshme, po përjetojnë përkeqësim të shëndetit mendor e për pasojë, po konsumojnë më shumë antidepresivë. Farmacitë në rajonin e Durrësit pohuan kryesisht fenomenin e depresionit nga përdoruesit e hashashit. Ndërsa njësitë e shitjes së ilaçeve në Tiranë pohuan se konsumatorët e antidepresivëve janë më së shumti të ardhurit në Tiranë, të cilët gjenden nën presionin e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe përshtatjes me kultura të tjera.

Alban Ylli, mjek ekspert në Institutin e Shëndetit Publik, tha se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Ai tha se mbetet shumë shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk u drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Ylli vuri në dukje se konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.

Kostot ekonomike
Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më së shumti në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë të tilla si Siria. Rreth 67 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2015, ndërsa gjatë vitit të kaluar, edhe rreth 29 mijë të tjerë.

Për dy vite, 4% e popullsisë së vendit ka tentuar të largohet vetëm në vendet e BE-së. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Doktoresha Rreli thotë se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion. Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, d.m.th. e të bërit të gjërave mirë. Por nga ana tjetër, trajtimi i sëmundjeve mentale është i kushtueshëm. Këta persona kërkojnë angazhimin e shumë burimeve të tjera si njerëzore edhe materiale. Medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë shumë, ndërkohë që depresioni nuk zgjedh. Në këtë këndvështrim, Shqipëria një vend i vogël, por me problematika të mprehta, nuk ka mjete të mjaftueshëm për të trajtuar me dinjitet këto kategori pacientësh që po shtohen çdo ditë e më shumë, – shton doktoreshë Arjana.

Studimet globale mbi depresionin kanë gjetur se, fenomeni është mjaft i përhapur në vendet në tranzicion. Sëmundja po vjen në rritje gjithnjë e më shumë. Organizata Botërore e Shëndetit ka gjetur se njerëzit e prekur nga çrregullimet mendore, kryesisht depresioni, kanë performancë të ulët në punë, sigurojnë pak të ardhura dhe kanë cilësi të ulët martese. Gjithashtu këto sëmundje bëhen shkak për invaliditet, vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit çrregullimet depresive si faktorin e katërt që krijon aftësinë e kufizuar, por deri më 2020, OBSH vlerëson se depresioni do të jetë shkaku i dytë.Edhe pse të dhënat për prevalencën dhe kostot e depresionit nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve, anketat psikiatrike janë kryer në shumë vende të zhvilluara, si dhe në një numër në rritje të vendeve në zhvillim dhe rezultatet tregojnë rritje të sëmundjes.

Kosto e sëmundjes dhe hulumtimet rreth saj kanë treguar se depresioni krijon një barrë të madhe ekonomike. Një studim i fundit tregon se depresioni i kushton SHBA-së 210 miliardë dollarë në vit. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, të tilla si ankthi dhe stresi post-traumatik, si dhe për shkak të sëmundjeve të tjera apo çrregullime të gjumit dhe migrenës. Studimi ka gjetur se për çdo dollar të shpenzuar për trajtimin e depresionit, një shtesë 4.7 dollarësh ka shkuar në shërbime direkte apo indirekte, që lidhen me sëmundjen, 1.9 dollarë të tjera janë humbje që vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve që lidhen me produktivitetin në punë dhe vetëvrasjet, që lidhen direkt me depresionin.

Të dhënat për sëmundjen kanë lidhje të drejtë me ciklin ekonomik të një vendi. Studimi për SHBA ka gjetur se në periudha të mira ekonomike, të sëmurët me depresion kanë më shumë mundësi për punësim dhe më shumë mjete në dispozicion për të shmangur faktorët e jashtëm që stimulojnë depresionin. Ndërsa është vënë re një prevalencë shumë e lartë e sëmundjes pas krizës ekonomike, ku mundësitë për punësim janë më të kufizuara. Studimi tregon se rritja e depresionit në një shoqëri ndikon në zinxhirin e të gjithë ekonomisë që nga konsumi deri tek investimet dhe prodhimi.

Kostot sociale
Fenomenet sociale që reflekton një shoqëri në depresion lidhen me cilësinë e ulët të martesave, nivelin e lartë të divorceve dhe emigracionin e lartë, shpjegojnë mjekët.
Koeficienti bruto i martesave në Shqipëri ka pasur luhatje përgjatë viteve 2001-2015, nga një vlerë minimale 6,9 në vlerë maksimale 9,0 martesa për 1.000 banorë. Viti 2015 karakterizohet nga 8,7 martesa për 1.000 banorë. Divorcet kanë shënuar një rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2015, përkatësisht nga 9,6 në 21,0 divorce për 100 martesa. Viti 2015 shënon vlerën dhe normën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatësisht 5.255 divorce dhe 21,0 divorce për 100 martesa.

Ndërsa burimet nga QSUT pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet e tentativave për t’i dhënë fund jetës, në mënyra të ndryshme, sidomos helme. Madje fenomeni është shtuar dukshëm tek adoleshentët, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ka shtuar kapacitetet e trajtimit me mjekë dhe shtretër.

Numri i vetëvrasjeve, tre herë më i lartë se ai i vrasjeve

Depresioni në shkallën e tij më të lartë i çon në vetëvrasje ata që vuajnë. Psikiatrikja Arjana Rreli thotë se numri i vetëvrasjeve dhe sidomos tentativave për të kryer aktin është rritur.

Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri- tjetrit, por pak kujt ja merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.Për vitin 2016 sipas të dhënave të INSTAT personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë vetën në të njëjtin vit ishin 235.

Vendet e tjera në Europë kur raportojnë statistikat e krimeve njoftojnë si numrin e vrasjeve dhe atë të vetëvrasjeve, por në Shqipëri nuk ekziston kjo praktike. Treguesit u zbardhen në mënyrë indirekte kur INSTAT raportoi javën e kaluar shkaqet e vdekjeve në Shqipëri.Sipas portalit më të madh global mbi statistikat e shëndetit, “Healthdata”, stresi dhe depresioni janë shkaktari i tretë për aftësinë e kufizuar në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2015. Rregullimet nga depresioni që janë bërë shkak për aftësinë e kufizuar janë rritur me 9.3% në vitin 2015 në krahasim me 2005. Por ndërkohë sëmundja është e nëntrajtuar dhe e nëndiganostikuar. Ekspertët e ISSH pohojnë se nuk ka një regjistër kombëtar mbi nivelin e sëmundjeve që kanë lidhje me shëndetin mendor. Të dhënat referohen me mesatarizime.

Në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Në të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Kanabisi, si shkak shtesë
Nga vrojtimi i farmacive doli në dukje fakti se shumë të rinj përdorues të hashashit po japin shenja në rritje të depresionit. Përdorimi kronik i bimës krijon efektet e depresionit në disa raste, prandaj të prekurit kanë nisur mjekimin me antidepresivë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një rritje e prevalencës së konsumit të marijuanës të paktën një herë në jetë me 2.2 pikë përqindje në tërësi (nga 4.4% në 6.6%) dhe për çdo grup në studim. Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 rritja ishte më e madhe te nxënësit e shkollave tekniko-profesionale (me 7.8 pikë përqindje), nxënësit e shkollave private (me 3.8 pikë përqindje) dhe te djemtë (me 3.5 pikë përqindje).

ISHP analizon se përdorimi i kanabisit nga të rinjtë është i lidhur me një numër problemesh shëndetësore, duke përfshirë rritjen e rrezikut për lëndime, sëmundje kronike, depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Përdorimi i kanabisit lidhet me faktorë të tillë si deprimimi ekonomik, mjedisi rrethues, koha e gjatë që kalohet me bashkëmoshatarë që janë përdorues të drogës, si dhe mbikëqyrja e paktë nga prindërit.

Studimi i ISHP në vitin 2015 ka nxjerrë në pah se, përdorimi i rregullt i marijuanës ishte në mënyrë domethënëse më i lartë në shkollat tekniko-profesionale (2.7%) dhe social-kulturore e gjimnazet (1.3% secila vs. 0.9% në klasat e 9-ta), në shkollat private (1.9% vs. 1.1% në shkollat publike), shkollat urbane (1.4% vs. 0.7% në shkollat rurale) dhe pothuajse i njëjtë në shkollat e Tiranës vs. shkollat e rretheve të tjera (1.1% vs. 1.2%, përkatësisht). Këto tendenca janë të ngjashme me ato të raportuara në vitin 2011, me përjashtim të shkollave të Tiranës vs. rretheve të tjera, të cilat në vitin 2011 kishin një diferencë prej 0.5 pikësh përqindje në favor të shkollave të Tiranës.ISHP referon se në vitin 2015 bie në sy ulja e përdoruesve rastësorë “1-2 herë në muaj” dhe rritja e përdoruesve të shpeshtë të marijuanës, dhe tek vajzat këto tendenca janë më të theksuara, krahasuar me vitin 2011. Për shembull, midis atyre që përdorën marijuanë në vitin 2015, 9.7% e djemve dhe 25% e vajzave e përdorën atë në 40 raste ose më shumë gjatë muajit të fundit (krahasuar me 11% dhe 12.5%, përkatësisht në vitin 2011). Kurse përdoruesit rastësorë u ulën me 12 dhe 29.5 pikë përqindje tek djemtë dhe vajzat përkatësisht në vitin 2015, krahasuar me vitin 2011

Si po rritet fenomeni
Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetën e tyre. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera, por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit.Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.

Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më e madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga ç’do të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.

Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se, pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të madh për të vuajtur nga depresioni.Faktorë socialë rreziku për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë, më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rritin gjithashtu rrezikun.

Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natyra të ndryshme).Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i madh mes femrave. Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.

Ka tregues në vendin tonë që dëshmojnë se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.

Programi i kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç (i zgjeruar tashmë edhe në moshat 35-70 vjeç) përfshin mes të tjerash edhe një pyetësor të shkurtër për matjen e depresionit dhe kapjen e trajtimin e hershëm të tij nga mjekët e kujdesit parësor. Ndërkohë që programi po funksionon mjaft mirë me testet e tjera biologjike, nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit, mesa duket për shkak të stigmës që e rrethon këtë sëmundje.Instituti i Shëndetit Publik thotë se ngelen prioritete të rëndësishme lufta kundër stigmës që rrethon depresionin, rritja e besimit mes komuniteteve dhe profesionistëve, integrimi i grupeve vulnerabël në shoqëri, shtimi i mundësive për një jetë më aktive etj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com