[sgmb id=”1″]
Si kërpudhat pas shiut, dyqanet e rrobave të përdorura po lulëzojnë në Vlorë prej kohësh.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje të fortë të importit të veshjeve të përdorura që prej 2012-s, ndërsa operatorët e vegjël në treg shtojnë se konkurrenca në këtë sektor është rritur shumë…
Një biznes, që po rinjeh lulëzim, në një periudhë që konsumi mbetet i tkurrur, është i ashtuquajturi “Gabi”.
Sipas të dhënave zyrtare, tregtia e rrobave të përdorura po njeh një zgjerim të vazhdueshëm që nga 2012, duke arritur nivelet rekord vitin e kaluar.
Për 2016-n, sipas të dhënave nga INSTAT, vlera e importeve të veshjeve të përdorura është rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.
Treguesit pohojnë se marzhi i qarkullimit të veshjeve të përdorura është tepër i lartë, duke bërë që tregu i pakicës të jetë minimalisht tre-katër herë më i lartë se vlera e mallit që hyn në doganë, çka bën që tregu i pakicës së Gabit të arrijë në 60-80 milionë euro në vit.
Operatorët në tregun e rrobave të përdorura operojnë duke blerë mallin me kilogramë dhe duke e shitur me copë, duke gjeneruar kështu marzhe të larta fitimi.
Çmimi për kilogramë për veshje të përdorura varion nga 400 lekë- 2000 lekë.
Sipas të dhënave nga INSTAT rreth 50% e tyre vijnë nga shteti fqinj Italia, por edhe nga vende të tjera si Kina, Gjermania dhe Turqia.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “Gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.
Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.