[sgmb id=”1″]
Sipas mediave italiane skuadra e lëvizshme e Padovës ka shkatërruar një organizatë kriminale që vepronte në Padovan e Sipërme.
Hetimi kishte nisur në shtator të vitit 2015 me një arrestim të një shpërndarësi, të cilit iu gjetën 500 gram heroinë dhe një tufë me çelësa.
Kapoja i grupit Dario Myftiu është arrestuar dje në Shqipëri falë bashkëpunimit me Interpol.
Po kështu, 4 shpërndarës të tjerë të vegjël, 3 shqiptarë dhe 1 italian, janë lënë në masën detyrim paraqitje.
Hetuesit arritën që me anë të çelësave të mbërrinin tek një apartament në Campodarsego që përdorej si depozitë për drogën. Policia gjeti aty 60 kg marijuanë, 10 heroinë dhe 1 kg kokainë.
Arrestime të tjera dhe sekuestrime vazhduan në muajt në vijim, ku u gjetën edhe 800 gram kokainë, 2.5 kg heroinë dhe 160 mijë euro cash.
Sipas hetuesve të drejtuar nga zëvendës prokurori Benedetto Roberti, grupi ishte në gjendje të merrte dërgesa droge për më shumë se 15 mijë euro për një herë.
Organizata kishte një strukturë piramidale funksionuese. Shpërndarësit e vegjël, nuk e njihnin kapon që porosiste drogën dhe që kishte dy bashkëpunëtorë të ngushtë dy zëvendës.
Organizimi është zbuluar falë shënimeve të shkruara me dorë ku mbaheshin shënim porositë dhe llogaritë.