Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar në radhët e Policisë së Shtetit shkelje të mëdha në përdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe të mënyrës se si janë zhvilluar tenderat gjatë periudhës janar 2014 deri në gusht të 2016-ës.
KLSH ka gjetur se në plot 43 prokurime publike, firmosja e kontratës është bërë duke shmangur tenderin. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një pjesë të mirë të dokumenteve të auditit, ku rezulton se në 3 kontrata të firmosura drejtpërdrejt me kompanitë, Policia ka shkelur ligjin e prokurimeve publike dhe ka shkaktuar një dëm ekonomik 1.5 milion euro.
Vetëm në tenderin për blerjen e sistemit të kamerave të trupit për patrullat e policisë, KLSH ka evidentuar se çmimi që ato janë blerë ka qenë 7 herë më i lartë se çmimet ndërkombëtare, duke rritur faturën me 1.4 milion euro.
“Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar pranë prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për konsumimin e veprës “shkelje e barazisë të pjesëmarrjes e tendera” për 7 zyrtarë të policisë së shtetit.
“Pasi përfundimet e raportit të auditimit u shqyrtuan nga Drejtoria Juridike e KLSH, u përcoll kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm në datë 10.01.2017.”
Kontrolli i KLSH ka gjetur parregullsi të theksuara edhe në mënyrën e përdorimit të fondeve për zërin e shpenzimeve për investime. Në 2014-ën janë shpenzuar 88% më shumë se planfikimi, ndërsa në vitin 2015-të shpenzimet janë rritur me 143%.
“Gjatë auditimit të zbatimit të buxhetit dhe ndryshimeve gjatë vitit për shpenzimet e investimeve, rezultoi se këto shpenzime janë rritur në vlera të konsiderueshme, duke vënë në diskutim hartimin e Projekt Buxheteve Afatmesme të miratuara për këtë Institucion.”
Pavarësisht debateve që përfshinë Ministrinë e Financave përpara dy viteve për përdorimin e letër kredive, KLSH ka evidentuar se Policia e Shtetit ka vijuar të njëjtën praktikë në vitin 2015-të dhe 2016-të në 5 raste, ku fondet i janë dhënë kompanive private, pa përfunduar punimet. /Tv Klan/