Qeveria ka miratuar një fond prej 6 milionë dollarësh për përballimin e nevojave të familjeve të dëmtuara nga tërmeti dhe përmbytjet që pasuan 21 shtatorin. Gjatë konferencës për shtyp pas marrjes së këtij vendimi, Kryeministri ka deklaruar se kjo shifër marrë nga fondi rezervë i emergjencave në buxhet do të plotësohet nëse bilanci i dëmeve rritet.
“Kemi vendosur pjesën e fondit rezervë në aktin normativ dhe janë rreth 6 milion dollarë në dispozicion sot, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe do duhet të plotësohen edhe me elementë të tjerë”, – u shpreh Kryeministri.
Ai tha se shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtohen.
“Ne atyre që kanë humbur shtëpinë do u bëjmë shtëpinë. Lojëra me lekë nëpër duar nuk do ketë. Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë. Kush do që ta bëjë vetë, është i lirë ta bëjë nuk do paguajë asnjë taksë. Kjo është ajo që do bëjmë”, – deklaroi Kreu i Qeverisë. /a.sh/j.p/