[sgmb id=”1″]
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dënimin dhe ka deklaruar fajtorë grupin e njohur si “Xibraka”, të akuzuar për trafik kokaine.
Në vendimin e ditës së sotme, nipi i ish-dikatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha u dënua me 10 vite burg.
Dënimin më të rëndë e mori Genc Xhixhaj me 13 vite burg, Ilir Hyseni u dënua me 12 vite burg, me 10 vite u dënua Arjan Dalipi, Saimir Batku u dënua me 13 vite burg, Gentjan Gjonaj me 11 vite burg dhe Kelmend Dalipi me 11 vite burg.
Ndërkohë dy kolumbianët Cezar Avila dhe Valte Moreno u dënuan me nga 12 vite burg.
Nga hetimet e kryera Prokuroria tha se është e vërtetuar me prova që të pandehurit kanë krijuar grupin e strukturuar kriminal për trafikun e drogës. Me anë të këtij rrjeti, nëntë pjesëtarët kanë importuar në territorin e Shqipërisë një sasi lënde, në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë.
Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.
“Prania e kokainës në një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, kontenierë etj., të sekuestruara në magazinë, siç u përshkrua në mënyrë të detajuar më lart, provon plotësisht se në magazinën në Xibrakë ishte ngritur një laborator për ekstraktimin e kokainës nga lënda ku ishte fshehur më parë, me qëllim kalimin me lehtësi të kontrolleve në pikat doganore”, tha Prokuroria.
Grupi “Xibraka” u arrestua në muajin janar të vitit 2015, pas hetimeve të gjata ndaj tyre.