[sgmb id=”1″]
Sherri i regjistruar një ditë më parë në zonën e plazhit në Durrës dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie.
Më herët gjatë ditës, duke iu referuar informacionit zyrtar të policisë së Durrësit, DurrësLajm raportoi për një sherr që ka pasur për protagoniste 4 femra, banuese në qytetin bregdetar. Gjatë konfliktit fizik ishin përdorur edhe mjetet e forta.
Ndërkohë, në redaksinë e DurrësLajm, një dëshmitar i pranishëm në vendngjarje ka sjellë foto nga konflikti i përgjakshëm, që siç duket edhe nga fotot ekskluzive ka lënë të plagosur njërën prej grave, e cila ndodhet e shtruar në spital.
Sipas dëshmitarit, dy familjet e përfshira në sherrin e një dite më parë ziheshin prej kohësh për shkaqe pronësie.
Dje, dy prej grave që duken edhe në foto, me hunj në dorë, kanë goditur duke lënë të gjakosur njërën nga gratë e palës tjetër, që sipas dëshmitarit është shtetasja A.B.
Policia e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, që mund të merrte përmasa edhe më tragjike.
Njoftimi i policisë së Durrësit
Më datë 05.07.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetaset M.H e A.B, vjeç 41 e 26, banuese në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 13, kanë goditur me mjete të forta, shtetaset N.B dhe L.H, vjeç 60 e 50, banuese në Durrës. Neni 89 i Kodit Penal.