Loading...

Poezi kushtuar jetimëve – Nga Marinela Velaj

Jetim

Frymëmarrja jote
oksigjenin botës “ja pakëson”
se është frymë e harxhuar kot
nuk i sjell dobi akujt.

Prezenca jote
e padukshme është kudo,
dyert në fytyrë të mbyllen,
ti je “dhelpëra” që rrushin s’e kap dot.

Trashëgimi ke veç vuajtjen,
titull nderi: “Jetim”,
lumturia – një dritës në fund të tunelit
që kurrë s’e arrin.

Fati shkujdesur luan me ty,
era në brigje të harruara të braktis,
ylberi ka veç dy ngjyra:
bardhë e zi.

Në botë promovohet Paqe
e lumturi globale synohet
veç për jetimët
askush nuk kujtohet.

Zemrat e njerëzve të ngrira janë,
dashuri nuk fal askush,
stin’ e zemrës ende s’ka ardh,
kjo Botë nuk premton kaq shumë.

Lotët syve u janë tharë,
me duart e mpira dot s’i fshijnë,
si tre vjeç edhe tridhjetë
në ballë ka të shkruar “jetim”.

Jeta nuk njeh kompromise,
fati nuk bën privilegje,
kush jetim është që në djep,
jetim mbetet në këtë jetë.

Stin’ e zemrës ende s’ka çelur
mbeti ëndërr në sirtar
kjo botë është shumë e vogël
rrotullohet rreth parasë;

rrotullohet rreth pushtetit,
obezitet politik,
dashuria – bimë pa fryte,
shkretëtira s’shuan etje.

MARINELA VELAJ
20/5/2019 – DITA NDËRKOMBËTARE E JETIMËVE

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com