Loading...

Topalli kapërcen çdo limit, krahason Bashën me Enverin.

[sgmb id=”1″]

Ish-kryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ka akuzuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, se me procesin zgjedhor që po organizon do të jetë kryetari i delegjitimuar që po çon PD-në drejt shkatërrimit.

Topalli e ka krahasuar Bashën me Enver Hoxhën, duke thënë se të paktën diktatori i mblidhte strukturat e partisë për vendimet e rëndësishme. Nënkryetarja e PD-së tha se Basha duhet të shkojë në selinë e PD-së, por në Holandë.

 Zonja Topalli, ju ngrini akuza për procesin e zgjedhjeve në PD, por ju nuk jeni kandidate? Nuk po garoni?

Midis kauzës dhe karriges gjithmonë kam zgjedh të parën edhe me kosto të mëdha mbi veten time. Ajo që mua më inkurajon janë të gjithë ata bashkëpunëtorë që s’i kam pasë në Parlament, s’kanë qenë në stafin tim, por janë ngritur se po ndodh diçka krejt e pazakontë dhe që s’ka të bëjë fare me atë që quhet demokratike në partinë tonë.

Kur zoti Basha nuk ka një kandidat serioz përballë, si do vejë kjo çështje? Dhe Zoti Patozi është i lëkundur! Po e lini vetëm zotin Basha.

Nuk ka garë, ka vetëm farsë. Gara është e rremë, ai në garë të rreme mund të hyjë dhe të dalë sa herë të dojë. I bie që ai të caktojë datën e hyrjes dhe datën e daljes, të shkruajë dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ai është vetëm i rremë, nuk ka kaluar në proces, është totalisht i delegjitimuar dhe është tërësisht nul.

Nëse më 22 korrik Basha do jetë kryetar, ku shkoi beteja juaj?

Nuk mund të jetë kryetar nëpërmjet një procesi të rremë. Është i rremë. Prandaj shumë të rinj dhe të reja të FRDP-së, ishdeputetë, janë të gjithë bashkë për të sjellë në shina statutore të gjithë procesin. Por për t’i kërkuar atij që është kryetar i partisë apo ishte kryetar, sepse nga është ngrirë dhe nuk e dimë a është apo nuk është më…

Edhe ju i ngritë disa gjatë kohës suaj. Spartak Ngjelën e ngritë, se ç’i bëtë… Filip Çakullin e keni ngritë…

Jo, nuk u vetëngrinë ata. Epo Berisha për t’ia heq dramacitetin thoshte “i ngriva”. Por nuk ka lidhje. S’ka krahasim. Ky është kryetar partie. Nuk di nëse njihni një rast që duke qenë në opozitë dhe duke humbur me 30 për qind të rezultatit me keq të zgjedhjeve të mëparshme dhe njerëzit të kapen pas karriges dhe të mos e lëshojnë atë. I ngrihet gjysma e kryesisë dhe i thotë ndërprite procesin dhe fute në shina e nuk pranon për ta fut. I thonë jep dorëheqje dhe nuk të heqim nga deputet, prapë deputet do jesh aty. Do kesh mundësi prapë pas disa vitesh të shikosh nëse do të sillet situata. Unë nuk e kuptoj, edhe në shtëpi kur shkon njeriu ka pak pudore përballë familjarëve. Kur ke shkuar – 200 mijë vota si ka mundësi të kapesh pas karriges? Si ka mundësi të mendosh që për asnjë çast të lëshoj vendin ti lë mundësinë anëtarësisë së PD-së të bëjnë një analizë të thellë.

Tre vjet më parë duhej ta kishin nisur betejën tuaj për mbledhjen e Këshillit Kombëtar?

Në fakt është degradim. Është e paimagjinueshme të hyhet në zgjedhje dhe as kryetari, dhe as bashkëpunëtorët e tij nuk e kanë menduar se duhet të ketë një libër rregullash që ia le detyrim statuti i ndryshuar me urgjencë i pakonsultuar. I shkruar nga zoti Basha dhe i duartrokitur nga Kongresi. Por ky ishte një besim që u tradhtua gjatë gjithë pjesës tjetër që pasoi. Ju tregova 4 ngjarje. Mos hysh në zgjedhje, mos hysh në zgjedhjen e Presidentit, të dalësh nga Parlamenti, mos hysh në zgjedhje lokale dhe të mos mbledhësh asnjë forum… Edhe Enver Hoxha e bënte. Formalisht, por e bënte.

E krahasoni Lulzim Bashën me Enver Hoxhën?

Hoxha mblidhte Byronë Politike, Komitetin Qendror kur merrte vendime të forta…

Mos e tepruat me këtë, Lulzim Basha si Enver Hoxha?

Unë nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër në vendet demokratike që marrin vendime të tilla pa pyet askënd. Lulzim Basha nuk ka vrarë kënd, Enver Hoxha ka bërë krime. Por Enver Hoxha mblidhte formalisht Byronë dhe Komitetin Qendror. Gjatë këtyre katër viteve Këshilli Kombëtar është mbledhur vetëm një herë, Kryesia është mbledhur 6-7 herë për gjëra teknike. Grupi Parlamentar është nxjerrë nga Parlamenti, është nxjerrë nga zgjedhja e Presidentit. Është lënë në çadër duke kapërcyer afatet elektorale. Partia është nxjerrë nga zgjedhjet e dekretuara të Kavajës pa mbledhje të sekretariatit apo departamenteve. Pa mbledhje të Kryesisë apo Grupit Parlamentar. Këto vetëm me vendim personal të Lulzim Bashës. Ky është alarmi më i madh për të cilin kam ngrit zërin para 4 vitesh.

Ju s’e keni dash asnjëherë atë (Bashën), e dimë ne.

Nuk është çështje dashnie, por rregulli dhe parimesh. Të mos pranojë të hyjë në zgjedhje PD-ja që lindi si parti pluralizmi, është për ta vdek, është ta ekzekutosh. Është një vetëvrasje. Dhe këtë po e bënte pa mbledh asnjë forum. Nuk është çështje e du apo nuk e du. Jo Lulzim Basha, por dhe njeriu më i dashur i zemrës time do guxonte të vendoste minat në themelet dhe parimet kryesore mbi të cilat është ngritur një parti si PD-ja, jo do ngrihesha, por nuk do ndalesha. Këtu s’ka lidhje me emrin dhe jo se është kryetar. Para cilitdo, e ka emrin Lul apo s’e ka Lul, kjo s’më intereson hiç fare. Është vendi para partisë politike, cilado qoftë kjo forcë politike.

Kush e mbështet Lulzim Bashën…? Ju e dinit që nuk do ishit në listë?

Mua s’më bëri fare, fare përshtypje, sepse Lulzim Basha mua nuk më zhgënjen kurrë. Unë e njoh Lulzim Bashën, është në gjendje të bëjë çdo gjë. Nuk më zhgënjen Lulzim Basha, as arroganca e tij e mbuluar me buzëqeshje. Dhe ajo që mua më ka trondit, dhe kam thënë që ky është në gjendje të bëjë çdo gjë kur erdhi dita kur në bazë të Kushtetutës e Kodit Zgjedhor dhe forcat politike do regjistroheshin në KQZ. Dhe ky e kapërceu e nuk u regjistrua, dhe aty kam thënë që ky bën çdo gjë për karrigen e tij. Jam tremb duke menduar se çfarë është në gjendje të bëjë. Dhe kam thënë unë nuk e la. Kam kërkuar mbledhje grupi, por ai s’pranonte. I kam shkuar në zyrë dhe ia kam thënë dy javë para se të dilte lista. S’ka menduar ndonjëherë Jozefina Topalli për karrigen e saj. Do dija shumë mirë të heshtja, të sillesha shumë mirë, t’u buzëqeshja pak familjarëve të tij dhe të isha në listë. Jo, kurrë! As më shkon mendja dhe as mund ta imagjinoj një gjë të tillë.

Në media dhe rrjetet sociale janë publikuar foto, në të cilat në selinë e PD është shkruar pankarta “Basha ik”. Është e vërtetë që këtë e ka vënë djali juaj?

Kjo është një gënjeshtër tjetër. Do kisha qenë e lumtur sikur ta kishte vënë ai me dorën e tij. Pse jo. Zoti Basha duhet të largohet, ta çlirojë partinë.

Do të ishit e lumtur sikur ta kishte bërë Genari?

Ta kishte bërë me dorën tij, por sigurisht janë moshatarët e Genarit që e kanë vënë një gjë të tillë, që janë të forumit rinor. Por kjo nuk është vetëm në këtë seli. Kjo është epidemi që është shpërndarë gjithandej. Në derën e PD-së së Shkodrës, në derën e PD-së së Kukësit, Korçës. Në Holandë. Edhe në Holandë, në fakt, do të ishte mirë që në vend të shkruanin “Basha ik”, të shkruanin “Basha hajde”.

Zoti Patozi do të jetë pjesë e garës?

Unë nuk e di nëse zoti Patozi është kandidat, unë e di që nuk është regjistruar. Nuk është regjistruar se nuk ka rregulla dhe s’ka proces. Pas rezultatit katastrofal të Lulzim Bashës, që është një humbës i përsëritur. Ai nuk lejon asnjë proces. Kësaj partie i ka mbetur vetëm anëtarësia, por ky po përjashton anëtarësinë vetëm për të mbajtur karrigen. Ky është një alarm që çon deri në gjunjëzimin e PD-së. Kjo po çon në asgjë- simin total të PD-së, për këtë proces ka vetëm një përgjegjës: Lulzim Basha.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com