Loading...

Kandidatët që sfidojnë Bashën, ja si do të kryhet përzgjedhja:Rrezikohet të përsëritet historia….

[sgmb id=”1″]

Partia Demokratike do të mbajë më 22 Korrik zgjedhjet për Kryetarin e saj, të cilat do të zhvillohen përmes parimit 1 anëtar një votë. Aktualisht kërkesat për të qenë pjesëmarrës në garë janë paraqitur nga 5 kandidatë, nga të cilët dy janë anëtarë të PD-së, njëri në Tiranë dhe tjetri në Fier, përkatësisht Erion Piciri dhe Astrit Sinanaj.
Ndërkohë 3 kandidatët e tjerë në garë janë Lulzim Basha, Kryetar i PD-së, i cili ka ngrirë funksionet duke ia deleguar Nënkryetarëve të partisë, Eduart Selami, ish-Kryetar i PD-së në periudhën 1992-1995 dhe Astrit Patozi, ish-Nënkryetar i PD nga 2005 deri në 2013-ën, kohë kur u dorëhoq.

Të 5 kandidaturat do të kalojnë në filtrin e Komisionit përkatës që do të merret me organizimin e zgjedhjeve dhe pas shqyrtimit të dosjes së cilit prej kandidatëve, do të vendoset nëse ata do të zyrtarizohen apo jo në garë.
Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, kreu demokrat Lulzim Basha u ndesh me një seri akuzash nga rreth 80 anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së që kërkonin dorëheqjen e Bashës, duke e bërë përgjegjësin e vetëm për humbjen më të thellë të pësuar nga PD në zgjedhjet parlamentare, që prej krijimit të saj. Përballë kërkesës për dorëheqje, Basha zgjodhi ngrirjen e kompetencave të tij si Kryetar dhe përmes një udhëzimi ia delegoi ato Nënkryetarëve të PD-së, që njëherazi do të organizojnë edhe gjithë proçesin e zgjedhjeve të brendshme në PD.

Përmes një udhëzimi Nënkryetarët përcaktuan datën 22 Korrik si ditën kur do të mbahen zgjedhjet, duke respektuar në këtë mënyrë datën e zgjedhjeve të 4 viteve më parë kur Basha kandidonte përballë Sokol Olldashit, i ndarë nga jeta në një aksident automobilistik. Por udhëzimi i dy Nënkryetarëve u kundërshtua nga Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, që e quajti shkelje të statusit pasi nuk ka marrë firmën e tij, por vetëm të dy nënkryetarëve. Ristani sqaroi se sipas statusit, datën e zgjedhjeve duhet ta përcaktojë kryesia. 
Në këtë mënyrë duket se proçesi për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së do të zhvillohet me disa pikëpyetje, të paktën kjo, referuar deklaratave të bëra nga anëtarë të Kryesisë, këshillit Kombëtar, dhe disa prej emrave të njohur të PD ndër vite.
Por ajo që është interesante në këtë garë është fakti se deri më tani nuk ka një deklaratë të ish-Kryeministrit Berisha, të paktën publikisht, në mbështetje të ndonjë kandidati, ndërsa theksi është vënë në atë që PD nuk duhet të përçahet, dhe se nuk ka luksin për përjashtime.
Deklarata e Berishës erdhi, pak orë pasi Jamarbër Malltezi, dhëndrri i ish-Kryeministrit, firmosi një deklaratë ku kërkonte dorëheqjen e Bashës. Por disa orë më pas edhe ai u tërhoq nga ky qëndrim, duke u shprehur se emir i tij ishte keqpërdorur, për shkak se ai nuk përkrahte parrullën “Basha ik”, e cila u kthye në një moto të grupimit anti-Basha në PD.
Tashmë komisionit i mbetet të shqyrtojë dosjet e secilit prej kandidatëve, ndërsa këtyre të fundit i mbetet të vlerësojnë nëse do të jenë deri në fund pjesë e garës apo jo.

Në vitin 1999-2000, në garën për kreun e PD-së, veç Sali Berishës u regjistrua edhe Genc Pollo, i cili u tërhoq nga gara, ndërsa në atë kohë shkaku që u dha ishin presionet. Pollo në atë kohë mbante postin e Nënkryetarit të PD-së dhe konsiderohej një nga njerëzit më të besuar të Berishës. Tërheqja e Pollos nga gara ngriti shumë dyshime mbi proçesin, edhe pse shpresat që ai të fitonte përballë Berishës ishin minimale.
Por historia e 17 apo 18 viteve më parë mund të përsëritet sot, nëse kandidatët që janë në garë, të paktën dy nga emrat që pretendojnë të sfidojnë Lulzim Bashën, deputetët Eduart Selami dhe Astrit Patozi mund të tërhiqen nga gara, qoftë edhe për shkak të dyshimeve mbi organizimin e zgjedhjeve dhe një gare jo të barabartë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com