Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim miqësor me raportuesin për Shqipërinë në Komitetin për Çështjet Evropiane në Bundestag, përfaqësuesi i Partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazi.
Në takim, Ministri në detyrë Cakaj shprehu vlerësimin e tij për qasjen inkurajuese të Raportuesit për Shqipërinë Sarrazi për avancimin e mëtejshëm të agjendës evropiane të Shqipërisë.
“Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe është gati për çeljen e negociatave”, tha kryediplomati shqiptar në fjalën e tij.
Raportuesi për Shqipërinë Sarrazi konfirmoi mbështetjen e tij dhe të Partisë së Gjelbër për çeljen e merituar të bisedimeve për anëtarësim.
Sikundër u shpreh edhe në takimin e përbashkët me përfaqësuesit e Bundestag, ai theksoi nevojën e mbajtjes së fjalës së dhënë nga ana e vendeve anëtare për fillimin e bisedimeve pas përmbushjes së pesë prioriteteve, jo vetëm si vlerësim të merituar për arritjet e deritanishme, por edhe si një mesazh inkurajues për institucionet dhe shoqërinë shqiptare. /j.p/