Loading...

Zbardhet plani i Ramës:Qeveria e re, hetim për administratën në çdo qark.

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar furtunë në administratën shtetërore në muajin shtator për të gjithë drejtuesit apo nëpunësit, që kanë abuzuar me detyrën gjatë katër viteve.

Në një postim në “Facebook”, të cilin Rama e ka quajtur “koalicioni kundër tepsisë”, shefi i qeverisë ka bërë të ditur se ditën e hënë do të zhvillojë mbledhjen e parë me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, për të nisur turin e dëgjesave në të gjithë Shqipërinë.

Sipas Kryeministrit, një nga pikat e këtyre dëgjesave do të jenë edhe mbledhja e të dhënave dhe ankesave të qytetarëve për punën e administratës aktuale shtetërore.

“Të hënën do të mblidhemi me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, pra me të gjithë skuadrën tonë të 25 qershorit, për nisjen e turit të dëgjesave në bazë të çdo qarku gjatë gjithë muajit korrik. Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim, do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit të tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark”, thekson kryeministri.

Më tej, shefi i qeverisë së re ka thënë se ky tur do të zgjasë rreth një muaj në të gjithë vendin, dhe do të hartojë një raport për punën e administratës publike, pjesëtarët e së cilës kanë abuzuar me detyrën, ku sipas Ramës do të spastrohet.

“Ndërsa më pas, kur Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re, një seksion i veçantë i saj do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit. Pas këtij turi 30-ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do të pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe i reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore, e të çdo drejtuesit përkatës”, ka thënë kryeministri.

Rama është zotuar se raporti që do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re do të çojë për skrap tepsinë, të cilën e përdor si krahasim për ndarjen e posteve në administratën publike me ish-aleatët.

“Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentet bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap”, ka thënë Rama.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com