[sgmb id=”1″]
Fituesit e zgjedhjeve të 25 qershorit 30 ditë tur në gjithë Shqipërinë për të nxjerr në pah se cfarë i shqetëson shqiptarët në raport me shërbimet që marrin në shtet. Dita e parë e punës së qeverisë së re, do të nisë me një raport të cilësisë së punës të administratës dhe drejtuesve shtetërore.
Muaji korrik do të jetë i vrullshëm për Partinë Socialiste. Kryeministri Edi Rama, fituesi i zgjedhjeve të 25 qershorit, ka bërë publik vendimin e marrë. Nga e hëna deri në përfundim të muajit korrik, deputetët e rinj dhe të gjithë kandidatët që garuan në zgjedhjet parlamentare nën siglën e PS-së, do të nisin një tur dëgjesash në të gjitha qarqet e vendit, për të dëgjuar qytetarët se çfarë ata presin nga qeveria e re.
Një tjetër aspekt, jashtë takimeve me qytetarët, do të jetë edhe mbledhja e informacioneve online nga njerëz të zakonshëm sa i përket shërbimeve që marrin qytetarët nga administrata shtetërore.
Ndryshe nga viti i kaluar që qeverisi në koalicion, Rama thotë se do të bashkëqeverisë me njerëzit, duke lënë qartazi të shprehur se nuk do të marrë asnjë parti tjetër në qeverisje. Kujtojmë se më 25 qershor partia Socialiste fitoi 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme pa pasur nevojën e bashkimit të votave me parti të tjera.
Kjo mbledhje informacioni në terren – thotë Rama në një shkrim në Facebook – do të shërbejë për të vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit.
Shkrimi i plote i Edi Rames
PER KOALICIONIN KUNDËR TEPSISË
Të hënën do të mblidhemi me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, pra me të gjithë skuadrën tonë të 25 qershorit, për nisjen e turit të dëgjesave në bazë të çdo qarku gjatë gjithë muajit korrik.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark. Ndërsa më pas, kur Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re, një seksion i veçantë i saj do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit.
Pas këtij turi 30 ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap.