TIRANË, 4 janar/ATSH/ Viti 2019 e gjeti familjen Buzani nga Çerçani i Librazhdit në një banesë të re, ndërsa shumë shpejt bashkia do të sigurojë edhe punësimin e njërit prej familjarëve.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njëkohësisht deputet i kësaj zone vizitoi banesën e re të familjes Buzani, përkrah së cilës qëndron ende kasollja e vjetër, ku familja ka jetuar prej 15 vitesh.
Sipas zakonit, për shtëpinë e re, nuk mungoi edhe dreka familjare.
“Faleminderit të gjithëve që kontribuan dhe në mënyrë të veçantë Kastriotit, Kryetarit të Bashkisë Librazhd, për bashkëpunimin me donatorët në punë të tilla që duan zemër dhe përkushtim. Jam i bindur që shumë më tepër do të mund të bëjmë për familjet në nevojë gjatë 2019. Qoftë ky vit plot me gëzime dhe më shumë dashuri”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se kjo ishte një familje që jetonte në kushtet më të vështira, ndërsa premtoi se projekti për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë do të vijojë.
“Kryetari i Bashkisë me mbështetjen tonë do të vijojë të ndërhyjë në çdo zonë ku ka realisht familje që jetojnë në këto kushte”, tha Balla.
Ndërsa, kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra premtoi se të paktën njëri prej familjarëve do të ketë mundësi që të ketë një vend pune./m.m/e.caushi/
ATA