Loading...

Nikolla: Bashke me universitetet ulim çmimin tavan

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla u dha të drejtë studentëve në protestën e tyre, ndërsa theksoi se asnjë tarifë studimi nuk është rritur që pas vitit 2014.

E ftuar në emisionin “Open” Nikolla theksoi se “nga vlera e tavanit tërhiqemi nëse Universitetet marrin vendim për uljen e tarifave dhe patjetër që do të ulet vlera e tavanit”.

“Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen”, – u shpreh ministrja. “Që të jem e drejtpërdrejtë si dhe e sinqertë. Ka qenë një shqetësim në aspektin personal. Nga ana tjetër është një moment shumë i mirë në kuptimin e plotë të fjalës, që arritëm në një moment që studentët të reflektojnë nëpërmjet një komunikimi serioz dhe është një moment i ri për të modernizuar institucionet e Arsimit të Lartë. Zëri i studentëve duhet të dëgjohet. Kam dëgjuar kërkesat e tyre që kanë evoluar. Ditën e parë kishin dy dhe ditën e dytë u bënë katër. Unë kam kërkuar të takohem me ta edhe në zyrën time ose në auditore. Gjenerata më e vyer që ky vend, nuk meritonte që të bënim një komunikim në rrugë dhe nuk u pa e arsyeshme. Ata kërkuan që të dilja në shesh që të komunikonim. Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen”, – shtoi Nikolla.

Lidhur me kushtet e konvikteve, ajo tha se për herë të parë po investohen 18 milionë euro. Sipas saj, janë në përfundim 4 godinat e inxhinierisë dhe në 2019 nisin investimet në 9 godinat e Qytet Studentit.

Lidhur me akuzat për rritjen e tarifave, Nikolla tha që asnjë tarifë nuk është rritur pas 2014.

“Ka vetëm tarifa të ulura nga Universiteti i Vlorës apo ndonjë universitet tjetër, është bordi drejtues që vendos”.

“Ligji i ri i Arsimit të Lartë e delegon kompetencën për kuotat, që nga 2015 e kishte qeveria , për kriteret e pranimit tashme i ka universiteti, janë strukturat universitare që kanë vendimmarrje të plotë. Ligji i përcakton qeverisë vetëm vlerën e tavanit. Unë e kam shprehur sot qartë, hajde të ulemi dhe të shohim të gjithë mundësitë, sigurisht që nuk tërhiqemi nga disa parime që kemi”, – tha ministrja.

Ministrja nuk hezitoi të t’ju përgjigjej akuzave kundrejt saj për rezultatet e saj në shkollë, duke theksuar se shkollën e Mesme e ka përfunduar me rezultate të larta, njëkohësisht ajo ftoi studentët për të diskutuar të gjitha pikat e tyre./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com