Një djalë me nënë rumune dhe baba shqiptar, tashmë është birësuar nga shtetas italianë. 2 gjyshër nga Laçi edhe pse në kushte tejet të vështira prej kohësh janë vënë në kërkim të nipit të tyre 11-vjeçar. Kjo dramë njerëzore është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ të moderatores Evis Ahmeti. Vogëlushi me emrin Kristian erdhi në jetë në 5 mars të vitit 2007 në Itali.
Nëna e tij është një shtetase rumune, ndërsa babai Gentjani ndodhej në Milano ditën që policia trokiti në derën e shtëpisë për të marrë vogëlushin pasi e ëma në gjendje të dehur e kishte dhunuar dhe britmat kishin alarmuar fqinjët. E ftuar në studion e emisionit është nëna e Gentjanit, e cila rrëfen momentet e vështira që prej vitesh po kalon familja e saj, pasi nuk dinë asgjë rreth fatit të nipin të saj.
Sipas saj, Gentjani pasi ka shkuar në shtëpi dhe ka mësuar atë që kishte ndodhur, është vënë në kërkim të të birit. Shteti italian e strehoi Kristianin në shtëpi fëmijësh, ai bisedonte dhe e shihte shpesh atë derisa përfundoi në burg për shkak të një ngatërrese me pasaportën. Bashkë me izolimin atij iu hoq dhe e drejta të kontaktonte me të birin. Në këtë periudhë nëna e vogëlushit ka dhënë dorëheqjen si prind dhe e ka lënë atë dhe fatin e tij në duart e shtetit. Pas shumë tentativash të dështuara për të hapur procese gjyqësore për të rimarrë të vogëlushin, nëna e Gentjanit kërkon të dijë sot se çfarë është bërë me nipin e saj.
“Ata ishin lidhur të vegjël, dhe bashkëjetuan për gati 2 vite. Vajza ngeli shtatëzënë. Pasi djali im iku në punë, bashkëjetuesja e tij e ka rrahur djalin dhe më pas ata i kanë marrë djalin, shërbimet sociale. Pasi u kthye djali im, e gjeti në qendër. E takoi për gati 2 vite djalin, hapi gjyqin dhe prapë se morëm dot. Nipi im ishte 3-4 vjeç. Madje dhe burri im shkoi në Itali, takoi një avokat. Edhe pse mori lekë avokati, se morëm dot. Për disa vite Gentjani e ka takuar. Kurse nëna firmosi dhe tha se hiqte dorë nga ai. Kur e ka takuar bashkëjetuesen Gentjani, i ka kërkuar shpjegime, por ajo kishte thënë se ishte e dehur dhe nuk mbante mend gjë. Djali im për shumë vite me radhë shkonte të takonte të birin. Por një ditë të premte djali im u vonua 5 minuta. Dhe kur shkoi atje, ata s’ja lanë dhe ai hyri me forcë. Kjo ishte një gafë, pasi hyri atje me forcë dhe më pas djalin ma arrestuan. Bëri 6 muaj burg. Dhe me gjyqe dhe më pas e liruam. Djalin e pa nga larg për gati dy vite se nuk e linte askush që t’i afrohej”, -tha nëna e Gentjanit.
Ndërkohë, pjesë e emisionit është bërë edhe gruaja e Gentjanit, Artjola, e cila tregoi se bashkëshorti i saj e vuante shumë faktin që nuk kishte dijeni për fatin e të birit. “Gentianin e kam pranuar si mashkull dhe i kam pranuar të gjitha këto gjëra. Gentjani është i prekur shumë, s’ja përmend dot se mërzitet. Se dimë se ku është ai fëmijë, dhe duam që ta takojë edhe babai i vet. Ne jemi të interesuar, por kemi qenë pa letra dhe me një fëmijë të vogël. S’kemi pasur shumë mundësi për avokat, por kemi marrë informacion se Kristjani është birësuar”, tha ajo.