Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet i bindur se asnjë qytetar i Kosovës nuk do të largohet nga vendi nëse liberalizohen vizat. Ai thotë se po bëhet fushatë e qëllimshme për të krijuar hutim dhe për të penguar procesin e liberalizimit.
Në një intervistë për “KosovaPress”, Haradinaj deklaron se Kosova i ka përmbushur krejt kushtet e paraqitura më herët duke shprehur besimin se Këshilli i Ministrave të BE-së e kalon këtë çështje.
Ai thotë se po punojnë edhe për zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane – ERA, ndërkohë, në dhjetor në Kosovë vjen komisioneri për zgjerim Johannes Hahn e po në këtë muaj është mbledhja e Këshillit të BE-së në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, takim ky jetik për Kosovën.
Haradinaj thotë se po u kërkon ndihmë kryeministrave të rajonit që të lobojnë, derisa Kosova të hyjë në rend dite.
Mbledhja e Këshillit të BE-së e fundit për këtë vit në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë është më 6-7 dhjetor. Ky takim është kritik për ta jetësuar lëvizjen e lirë të qytetareve tonë. Lufta e vërtete diplomatike duhet të koncentrohet tek vendet kryesore të BE-së të cilat kanë hezitime për të votuar pro liberalizimit të vizave, e që në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, bëhet fjalë për Holandën, Francën dhe Gjermaninë.
Nëse vendimmarrje për procesin e liberalizimit të vizave përfundon këtë vit, qytetarët e Kosovën do të mund të lëvizin lirshëm në vitin 2019./KosovaPress