Loading...

Basha në Berat: Asnjë kompromis pa pastruar politikën nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në Berat se vija e kuqe e opozitës për zgjidhjen e krizës politike është pastrimi i politikës nga krimi.

“E gjithë koha e Edi Ramës, kur nuk merret me ekspozita luksi, si ajo që është tani në Gjermani, merret me mbyllje dosjesh, të vëllait të vet, Olsi Rama, i kapur në trafik droge, Tahirit, Dakos, Xhafës, Ballës, Sejdinit e të tjerëve”, – theksoi Basha.

Kreu i opozitës tha se “nuk ka për të patur asnjë lloj kompromisi pa pastruar politikën nga krimi. Kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve, edhe atyre që bëjnë sikur nuk dëgjojnë se: Kthim në Parlamentin e lidhur me krimin nuk ka e nuk do të ketë”.

“Zgjidhja politike është aty. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se standardi që miratuan për prokurorët dhe gjyqtarët. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për këta, i njëjti standard që bëri ligj për policët dhe gardistët, i njëjti standard duhet të vleje për politikën. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Trajtim preferencial për politikanët nuk ka për të patur” – tha Basha.

Lideri i opozitës artikuloi nga Berati edhe një kusht tjetër për kapërcimin e krizës politike dhe që ka të bëjë me dekriminalizimin e zgjedhjeve.

“Ata që bëjnë pakt me kriminelët për vota, i pret burgu. Ky është kushti i dytë i panegociueshëm. Pa ndëshkuar krimin elektroal, pa ndëshkuar kryebashkiakët dhe ministrat që janë kapur duke bërë pakte me bandat, nuk mund të këtë kompromis me opozitën. Këta njerëz duhet të arrestohen! Duhet të jenë para drejtësisë, në burg! Ta mendojë mirë çdo politikan që pazari me bandat do ta çojë, jo në pushtet, por në burg”, – u shpreh Basha./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com