Dy të arrestuar dhe dy të shoqëruar është rezultati i aksionit të zhvilluar këtë të shtunë në Elbasan nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat e policisë së Drejtorisë Vendore.
Kështu konfirmohet zyrtarisht se dy të arrestuarit janë Enver Çapja, 51-vjeç dhe Naim Gjarri, 38-vjeç. Arrestimi i Çapjas u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet policore në lokalin e tij u gjet një pako me fishekë pistolete.
Ndërsa Naim Gjarri u arrestua pasi policia i gjeti atij dy pistoleta, të llojit glock dhe TT, si dhe një minë e telekomanduar.
Gjatë këtij operacioni u shoqëruan edhe dy persona, të cilët po merren në pyetje në Komisariatin e Elbasanit.