Vetëm 2 javë nga marrja e detyrës, jep dorëheqjen zëvendësministri i Arsimit Taulant Muka. Ai u emërua në këtë detyrë më 31 tetor, ndërsa zëvendësoi Ervin Demon. “BalkanWeb” mëson se Muka dorëheqjen ia ka dorezuar kryeministrit Edi Rama, duke vene ne dijeni edhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ku i paraqiste edhe arsyet e dorëheqjes.
“Per arsye etike, morale dhe profesionale, dhe te papajtueshmerise qe une kam me modelin e punes te aplikuar me Ministrine e Arsimit, ju paraqes dorheqjen time te parevokueshme nga posti i zv.ministrit”, thuhet ne letren e doreheqjes, drejtuar Rames.
Kujtojmë se ardhja në këtë detyrë e Mukës u shoqërua me debate të mëdha, pasi ishte ai që akuzoi Demon për plagjiaturë. Por pak javë pas dorëheqjes së Ervin Demos, Muka mori postin e zv.ministrit me emërim të kryeministrit Edi Rama.
Studiuesi denoncoi plagjiaturën që sipas tij zv.ministri i Arsimit Ervin Demo kishte bërë në një artikull me titullin “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, i botuar në vitin 2011.
Ndërkohë Demo teksa theksoi se ishte vënë në shënjestër nga politika e baltës, u shpreh pas dorëheqjes se: “Çdo argumentim nga ana ime kundër baltosjes në pozicionin që jam sot, do të paragjykohej vetiu dhe do linte vend për keqinterpretime, nëse unë do të mbetesha në pozicionin tim”.