Ish-deputeti i Lsi-së Spartak Braho ka sulmuar Presidentin Ilir Meta.
Në një reagim për “Gazetën Shqiptare”, deputeti socialist, Spartak Braho, në cilësinë edhe të një njohësi të mirë të ligjit, e quan të padrejtë refuzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri emrit të Sandër Lleshit.
Sipas tij, akti i dekretimit nuk është çështje bindjesh, por kërkesa dhe referenca kushtetuese, të cilat sipas tij, mungonin në rastin në fjalë. Ai thekson se me këtë argument, kreu i shtetit mund të refuzojë nesër edhe propozimin e mazhorancës qeverisëse për emërimin e kryeministrit.
“Me këtë logjikë, presidenti mund të kthejë mbrapsht tërë kabinetin qeveritar, gjë që s’është normale. Nuk ka asnjë pretendim nga presidenti që Sandër Lleshi nuk plotëson kriteret, nuk ka shprehur as mendime që lidhen me aftësitë profesionale, morale dhe politike të tij”, shprehet Braho.
Replika
Duke replikuar në distancë me Presidentin Meta, Braho u shpreh se diletantë janë këshilltarët e kreut të shtetit, të cilët në refuzimin që i bënë kandidaturës së Lleshit nuk arritën të sjellin asnjë argument ligjor.
“Në vazhdimësi antidekretin e presidentit e kanë gjykuar si anormalitet dhjetëra juristë e konstitucionalistë profesionistë. Nuk bëhet fjalë për diletantë, siç i fyen presidenti, por doktrinarë të çështjeve kushtetuese, mungesa e të cilëve në trupën e këshilltarëve të këtij niveli dukej qartë, për shkak të mungesës së argumenteve dhe aq më tepër të referencave kushtetuese për arsyetimin e refuzimit. Ky ishte diletantizëm ashiqare.