[sgmb id=”1″]
Ministrat e LSI duhet të qendrojnë në detyrë deri në shtator? Prishja e “tepsisë” duhet të fillojë që tani edhe brenda në PS...
Procesi i numërimit të votave po përfundon dhe rezultati tashmë duket qartë: zgjedhësit i kanë besuar Edi Ramës “timonin” për të qeverisur vetëm, pa Partinë Demokratike, e cila, po ashtu si dhe LSI, ka qenë vazhdimisht nën shënjestrën e kryeministrit gjatë gjithë fushatës së tij elektorale.
Edhe për këtë e kanë votuar. Qeveria e re do fillojë punë nga shtatori, por deri atëhere, pra menjëherë, kryeministri duhet të japë një mesazh të qartë dhe të shkarkojë, pa asnjë ditë vonesë, ministrat teknikë dhe zëvendëskryeministren.
Emërimi i tyre kishte funksion të vetëm atë që të ndiqnin procesin elektoral. Tani që procesi zgjedhor mbaroi, të shtatë eksponentët e PD, që u vunë në kolltukët qeveritarë në bazë të marrëveshjes së 17 majit, duhet të shkarkohen. Emërimi i ministrave të rinj mund të bëhet vetëm në shtator dhe deri atëhere dikasteret mund të drejtohen nga zëvendësministra të zgjedhur nga PS.
Për koherencë politike, edhe ministrat e LSI-së duhet të paraqesin dorëheqjet: pasi i paralajmëruan ato njëmijë herë, që nga koha e reformës së Drejtësisë dhe pasi bënë një fushatë të tërë elektorale kundër qevërisë, ku ata vetë bënin pjesë, tani ka ardhur momenti që dorëheqjet t’i japin realisht.
Në rast se nuk e bëjnë këtë në mënyrë të vullnetshme, në këtë rast i takon kryeministrit në detyrë të marrë përgjegjësinë. Dhe, bashkë me postet e ministrave, ka edhe figura të rëndësishme në “tepsinë” e famshme, të denoncuar nga Rama, të cilët vazhdojnë të hanë, edhe me bashkëfajësinë e drejtuesve të emëruar nga Partia Socialiste.
Pasi “tepsia”, siç e pranoi Rama, gjithnjë ka qenë e përdorur nga të gjithë për të ngrënë. Mandati i zgjedhësve është i qartë: duhet filluar menjëherë nga pastrimi. Marrja e timonit vetëm do të thotë për Edi Ramën se mund të bëjë shumë zgjedhje dhe kjo është e para që duhet të përballojë.