Loading...

Fundosi Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën, prokurori i ‘peshqve të mëdhenj’, del para Vetingut

I njohur si prokurori i ‘peshqve të mëdhenj’, Ramadan Troci do të dalë këtë javë para Vetingut për të mësuar nëse do të jetë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që po shqyrton dosjen e prokurorit Troci përbëhet nga Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo) dhe Suela Zhegu. Trupa gjykuese do ta njohë prokurorin me gjetjet e hetimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Ramadan Troci njihet ndryshe edhe si prokurori që goditi ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët më pas u shpëtuan nga gjykatat. Ramadan Troci ka firmosur arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e bankës. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u prangos mbrëmjen e 5-shtatorit 2014, në zyrën e tij, në selinë qendrore të Bankës.

Sipas Prokurorisë, Fullani kishte abuzuar me detyrën e tij në 5 pika konkrete, duke lënë terren për abuzime që sollën deri në vjedhjen e shumës prej 713 milion dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Në përfundim gjykata i rrëzoi këto akuza, ndërsa Fullani mori 56 rroga dëmshpërblim. Ndërkaq, në shkurt të 2015, Prokurori Ramadan Troci firmosi urdhër-arrestin edhe për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Edhe Gjika u shpall i pafajshëm nga gjykata.

Hetimi i thelluar

Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë depozituar tre raporte për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale të prokurorit Troci. Raportet janë dorëzuar respektivisht nga Inspektoriati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Raportet janë shqyrtuar nga trupa gjykuese dhe përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Trupa gjykuese dhe ONM kanë zhvilluar hetime të theluara për njërin ose për të tre kriteret. Rezultati i këtij verifikimi të thelluar është përcaktues për fatin e prokurorit.

Pasuria

Ligjshmëria e pasurisë mbetet kriteri kryesor për konfirmimin ose shkarkimin nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët i nënshtrohen Vetingut. Prokurori Troci ka deklaruar një pasuri modeste pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Të ardhurat e prokurorit Troci, referuar deklaratave të pasurisë që ka siguruar Shqiptarja.com, përbëhen nga paga e tij, paga e bashkëshortes si dhe paga e vëllait pas vitit 2010. Nga viti 2003 dhe në vijim, Troci deklaron se ka kursyes nga paga e tij dhe e bashkëshortes 400 000 deri në 700 000 lekë në vit.

Në deklaratën fillestare, Troci deklaron vetëm një veturë me vlerë 300 000 lekë. Makinën e ka shitur në vitin 2007 në vlerën 400 000 lekë, ndërsa ka blerë në vitin 2008 një veturë tip Mercedes Benz, me vlerë 700 000 lekë. Sa i përket pasurive të paluajtshme, prokurori ka deklaruar blerjen e një apartamenti në Tiranë, në vitin 2011, me sipërfaqe 94.4 m2, me vlerë 5 494 080 lekë. Si burim, Troci deklaron kursime nga pagat dhe një kredi bankare, në vlerën 2 490 537 lekë, me afat shlyerje 15 vjet. Makina, apartamenti dhe paratë e kursyera mbulohen me të ardhurat.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com