Del imazhi i 20-vjeçarit që kishte thyer mijëra adresa interneti. Oficerët e Hetimit të Krimeve Kompjuterike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, kapen të enjten një 20-vjeçar, i cili prej afro 8 vitesh dyshohet se hakeron adresat dhe profilet e rrjeteve sociale të shtetasve të ndryshëm.
Në pranga është vënë Arben Bozhiqi, (personi qe shihni ne foton me lart) nga Pajova e Peqinit, por me banim në Laprakë, në kryeqytet, i cili po hetohej prej 6 muajsh, pas një denoncimi që ishte bërë në Policinë e Durrësit.
Megjithëse kishte vetëm arsimin 9-vjeçar dhe bënte një punë modeste si lavazhier, Bozhiqi kishte arritur që të hakeronte mbi 3 mijë adresa në internet. Madje, këtë aktivitet kriminal ai e kishte nisur kur ishte ende fëmijë, vetëm 12 vjeç. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se veprime të tilla ai i kryente me qëllim përfitimi të shumave të ndryshme monetare. Burimet thonë se ka dyshime që ai mund të ketë shantazhuar edhe vajza minorene, përmes fotove intime. Disa të tilla u gjetën në banesën e tij, gjatë kontrollit që ushtroi Policia në momentin e arrestimit.
ARRESTIMI/ Policia e Shtetit njoftoi dje se është arrestuar një shtetas për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Sipas Policisë, 20- vjeçari dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Bozhiqi, 20 vjeç, lindur në Pajovë, Peqin dhe banues në Laprakë, Tiranë. Ky shtetas u arrestua në flagrancë pas një hetimi 6- mujor në kuadër të Procedimit Penal të vitit 2018 për “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/b i Kodit Penal, shkruan Panorama.
HETIMI/ Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pajisje kompjuterike dhe një telefon celular. Këto pajisje, pasi u këqyrën, rezultuan të përmbanin të dhëna të rëndësishme me interes për hetimin. Policia tha se nga verifikimet u gjetën 11 profile të rrjetit social “Facebook” me të dhëna të rreme, të cilat administroheshin dhe përdoreshin nga shtetasi Arben Bozhiqi. Gjatë këqyrjes së profileve, që administroheshin nga ky shtetas, u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme, disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minorene në kohën kur këto foto janë realizuar, si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të këtyre shtetaseve.