Loading...

Shpella e Spilesë në Himarë, me vlera të rralla arkeologjike dhe historike

Shpella e Spilesë në Himarë u gërmua për herë të parë në vitin 1939 nga arkeologu italian L. Cardini, ku u zbuluan materiale arkeologjike, të cilat dëshmonin se ajo ka qenë e banuar që në periudhën eneolitike dhe gjatë periudhave antike e mesjetare.

E shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranë në 1963 dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës në 1973, shpella ndodhet në qytetin e Himarës, në gjirin me të njëjtin emër.

Shpella ka përmasa të brendshme 7.40 x 28 m dhe një hyrje 8.50 m të gjerë. Shpella u rigërmua në vitet 2002-2003 nga një projekt shqiptaro-anglez i drejtuar nga arkeologët I. Gjipali, K. D. Frencis dhe D. J. Beskoni.

Nga ky gërmim u zbuluan materiale që e datojnë atë si vendbanim i përdorur që në periudhën mezolitike, por u përftuan gjithashtu informacione me rëndësi për historinë e formimit të gjirit të Himarës, për fillimet e depozitimeve në shpellë, për florën dhe faunën e mjedisit, për praninë e më shumë shtresave kulturore, datime relative e absolute nëpërmjet analizave të C 14, të cilat mund të shërbejnë si pikë referimi për periudhat prehistorike të territorit të bregdetit Jon dhe më gjerë.

Shpella nuk ka shërbyer si vendbanim i përhershëm, sepse nuk u gjetën mbetje të strukturave të qëndrueshme, por si një vend i përdorur për periudha të shkurtra. Qeramika e importuar e periudhës antike, dëshmon se Himara ka pasur kontakte me qendra të rëndësishme të Mesdheut.

Në fazën e ardhshme të rikualifikimit urban të qytetit të Himarës, shpella e Spilesë do të integrohet në hapësirën urbane të qendrës së Himarës me të gjitha vlerat e saj arkeologjike, historike dhe natyrore, si një monument i vizitueshëm nga të gjithë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com