Ai ka rrëfyer para trupës gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda sesi u njoh me bashkëshorten e tij të cilën e vrau me duart e tij. Fadil Kasemi, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes Fildes Hafizi, me të cilën ka dy fëmijë, ka bërë një rrëfim krejt ndryshe. Prezent në sallën e gjyqit ishin edhe dy ekspertë mjeko-ligjorë, që pasi të dëgjojnë dëshminë, do të përcaktojnë nëse Kasemi ka probleme të shëndetetit mendor ose jo. Ka qenë avokati mbrojtës që pretendon se klienti i tij ka shfaqur probleme dhe për këtë ka kërkuar që gjendja e tij mendore të vlerësohet nga ekspertët.
Përballë togave të zeza, 53-vjeçari ka treguar se është njohur me të ndjerën në fund të vitit 2000, në kohën kur ishte kthyer nga emigrimi. Kasemi ka rrëfyer se ka investuar për shkollimin dhe punësimin e ish-bashkëshortes, e cila u bë gjyqtare, ndërsa për 15 vite ka paguar edhe qeranë e banesës së prindërve të saj. Ndërsa problemet e para në çift, sipas tij, kanë nisur në 13 shkurt të 2015. Kasemi nuk e ka pranuar dot ndarjen dhe e vrau ish-bashkëshorten e tij në mes të rrugës në Tiranë.