Loading...

Qofte shtëpie plot shije.Ja mënyra ideale e përgatitjes

Një recetë fantastike, tipike e traditës shqiptare me një shije të plotë dhe speciale për një vakt të shijshëm dreke apo edhe darke.

Të përgatitura në shtëpi dhe të skuqura apo të pjekura në furrë, shoqëruar me salca të ndryshme të freskëta shija e këtij gatimi mbledh padyshim gjithë familjen drejt tryezës.

Kjo recetë tipike, e përgatitur nga amvisat shqiptare për dekada me radhë është një mënyrë fantastike për të servirur një pjatë të shijshme për veten, fmailjen dhe më të dashurit.

Qoftet e shtëpisë shoqërohen në mënyrë fantastike me patate të furrës apo pure patatesh, sallata të freskëta të stinës e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare siç janë turshitë etj

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së qofteve të shtëpisë.

Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

300-400 gr mish i grirë

2 kokrra qepë

2 feta bukë

1 kokërr vezë

4-5 lugë gjelle miell

3-4 thelpinj hudhra

Vaj

Kripë, piper, nenexhik

Përgatitja

Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përzjejmë  mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.

Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokër are.

I kalojmë në miell dhe më pas i skuqim në zjarr të fortë nga të dyja anët.

Nëse preferoni,  mund të përgatisni edhe salca të ndryshme shtëpie për t’i shoqëruar. Mund të përgatisni salcë me domate dhe hudhra.

Mjafton të skuqni si fillim 5-6 thelpinj hudhra të shtypur me vaj ulliri , e më pas shtojini 4-5 domate të grira në rende, hidhini kripë, piper e pak spec djegës nëse preferoni dhe  luereni në zjarr derisa salca të jetë gati.

Por mund të përgatisni gjithashtu edhe salcë kosi të kombinuar me kastraveca të grirë, hudhra dhe arra të grira gjithashtu. Sipër spërkateni me pak vaj ulliri. /AgroWeb.org

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com