Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i bëri thirrje sot partisë Demokratike, që të sjellë në Kuvend dy kandidaturat për anëtarë të KQZ-së.
Balla reagoi sot nga foltorja e Kuvendit, ndaj deklaratës së kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili në një komunikim për mediat u shpreh se, “nga dy kandidaturat që ne votojmë, njëra i takon Partisë Demokratike”.
“Lulzim, të takojnë dy kandidatura, jo një! Pra, nga katër vakanca të krijuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy kandidatura i takojnë mazhorancës dhe dy i takojnë opozitës, jo një. Përfitoj nga rasti sot që t’i rikërkoj Partisë Demokratike, opozitës, të sjellë dy kandidatura, jo një. Nuk ta kanë shpjeguar mirë Lulzim të tutë; nga katër, ke gjysmat”, tha Balla.
Balla tha se, “sa i përket partisë që ka numrin më të madh të mandateve në shumicë jemi vetëm ne, Partia Socialiste”. “Kjo do të thotë se të dyja vendet që i takonin shumicës parlamentare të legjislaturës së vitit 2009-2013, tashmë i takojnë shumicës parlamentare të legjislaturës 2017-2021”, tha ai.
Balla kujtoi se “dy ish-anëtarët e KQZ-së, Vera Shtjefni dhe anëtari tjetër, janë dy anëtarë që kanë qenë propozime të Partisë Demokratike, automatikisht dy propozimet e reja i takojnë Partisë Socialiste”.
“Sot Kuvendi voton për dy kandidaturat, të cilat gjej rastin që t’i inkurajoj për të bërë një punë në respekt të plotë të ligjit të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të qershorit 2019, për të cilat tashmë, KQZ duhet të fillojë përgatitjen për të qenë zgjedhje tërësisht në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por mbi të gjitha në zbatim të ligjit”, tha Balla.
Për këtë qëllim, Balla iu kërkoi të gjithë deputetëve të mbështesin dy kandidaturat e Rezarta Bitrit, një juriste e shkëlqyer, apartiake sikurse e do ligji, po kështu edhe kandidatin tjetër, i cili ushtroi në mënyrë efikase dhe plotësisht të mirë mandatin plotësues nga 2016 e deri më tani, Bledar Skënderi./atsh