“Ekstremizmi i dhunshëm është një kërcënim global, që nuk njeh kufij, gjeografikë apo politikë qofshin. Ai përhapet në tërë botën dhe sjell pasoja negative në të gjitha vendet ku e gjejmë”, deklaroi kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, në hapje të një konference rajonale dyditore për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe të radikalizimit që çojnë në terrorizëm.
Konferenca përqendrohet në shkëmbimin e praktikave më të mira në menaxhimin e këtij fenomeni nga burgjet dhe shërbimet e provës dhe në programet rehabilituese dhe ri-integruese.
Borchardt tha se, duke pasur parasysh angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe integrimin gjithnjë e më të madh të saj në proceset globale, ekstremizmi i dhunshëm nuk është më një histori që vjen nga vende të largëta, por bëhet çështje e prekshme. “Është e vërtetë që në burgje ndodhen vetëm 16 ekstremistë, por ka ende njerëz që do të kthehen dhe është e rëndësishme të jemi të përgatitur. Ky është një fenomen që nuk sulmon vetëm sistemin e burgjeve, por ai sulmon, përçan dhe dëmton shoqëritë”, tha ai.
Kryetari i Prezencës tha se shqiptarët kanë traditën e tolerancës dhe respektit fetar dhe theksoi se ky është një aset i madh shoqëror që duhet ruajtur dhe mbrojtur kundër atyre që e sulmojnë.
Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar në rritjen e kapaciteteve institucionale të Shqipërisë për të vepruar kundër ekstremizmit të dhunshëm. Mes nismave të tjera, Prezenca ka përgatitur një modul trajnimi bazë për personelin e burgjeve dhe shërbimit të provës mbi këtë fenomen në burgje dhe në shërbimin e provës, si dhe ka mbështetur trajnimin e rreth 110 punonjësve të vijës së parë në burgje. Ndërkohë, vijon të zhvillohet një trajnim i ngjashëm për personelin e shërbimit të provës. Një raport i vlerësimit të nevojave për shqyrtimin e kapaciteteve të Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm, në kontekstin e burgjeve dhe shërbimit të provës, u shpërnda për të pranishmit në konferencën e sotme./atsh