Zv.ministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo ka deklaruar gjatë emisionit “Debati në Channel One”, se nga 1 janari deri sot janë arrestuar 498 persona për vepra të ndryshme penale ose sipas llogaritjeve janë arrestuar afërsisht 2 persona çdo ditë. Në një panel me ish-drejtues të policisë dhe gazetarë të kronikës së zezë, Vodo shtoi se si asnjëherë Shqipëria nuk e ka goditur krimin kaq fort si gjatë kësaj periudhe që është dhe pjesë e taks forcës së ngritur enkas për këtë qëllim me emrin “Forca e Ligjit”.
Në fakt ky është numri më i lartë i arrestimeve që ka ndodhur në Shqipëri në një periudhë të ngjashme kohore. “Jo çdo rast arrestimi do arrijë në vendim të formës së prerë por duhet thënë se në krahasim me vitet e tjerë ne kemi rritur forcën goditëse ndaj krimit” tha Vodo. Ndërkohë Vodo shtoi se pritet që numri i tyre të shtohet në të ardhmen. Ndërkohë numri dy i ministrisë së drejtësisë shpjegoi edhe perceptimin e publikut për këto aksione.
“Të gjitha këto aksione në terma afatshkurtër janë kundër interesit të qeverisë. Sa më shumë ne të organizojmë të tilla aksione aq më shumë rritet perceptimi që në vend ka korrupsion dhe krim. Nëse do shikonim në terma elektoralë do na interesonte më shumë që të mund të mbanim në një profil më të ulët duke mos marrë asnjë nismë” sqaroi Vodo. Edhe pse goditja ndaj krimit javën e fundit është një proces që është përshëndetur nga masa e publikut ajo që mbetet shqetësim është mungesa e godtjes së peshqve të mëdhenj ose ndaj zyrtarëve të lartë.
Të ftuarit në panel thanë se publiku pret goditjen e atyre që quhen peshq të mëdhenj dhe jo zyrtarë të rangut të ulët. Edhe pse e mbështet operacionin e policisë, ish-drejtori në Policinë e Shteteit, Arjan Hoxha, tha se një pjesë e policisë është e politizuar dhe e papaftë prandaj nuk beson se do ketë sukses.