Policia shqiptare në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda filloi një aksion në shkallë të gjërë për goditjen e krimit në Shqipëri dhe lidhjeve të tij me trafikun e drogës, abuzimin dhe zyrtarët e lartë.
Ka qënë një operacion i shtrirë në 12 qytetet kryesore të vendit ku krimi ka ngritur “folenë” e tij më shumë, duke filluar nga Hasi dhe përfunduar në Sarandë, ai që ka dhënë një rezultat konkret.
Në prangat e organeve ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim dhe me ata partnere, kanë rënë 27 të akuzuar për lidhje me krimin, ndërkohë që janë shpallur 6 persona të tjerë në kërkim.
Pjesë e këtij operacioni ishte goditja e trafikut të drogës së fortë në Has, ku u sekuestruan 183 kilogramë morfinë si dhe 20 litra esencë e lëngshme për prodhimin e heroinës.
U organizuan operacione për kapjen e kokave të krimit në Has, në Shkodër, në Durrës, në Sarandë etj., dhe për hir të së vërtetës kanë rënë në “rrjetën” e policisë disa “kaçatorrë” të krimit dhe trafiqeve, të cilët më shumë kanë qënë viktima të lënies në dorë të policisë nga vetë drejtuesit e tyre dhe të “tutorëve” politikë, se sa një sukses i policisë.
E themi këtë sepse kokat e krimit, edhe njëherë ia kanë dalë të shpëtojnë pa ‘u lagur’ nga këto aksione më të fundit të policisë së shtetit, duke treguar qartë lidhjet e tyre me politikën, e cila dekonspiron operacionet e organeve ligjzbatuese shqiptare.
Nuk është rastësi që i quajturi kokë e prodhimit të Heroinës në një fshat të Hasit, një biznesmen i fuqishëm nga Kruja që ka hotele dhe biznese nga kryeqendra e dikurshme e Skënderbeut e deri tek hapësira e aeroportit të Rinasit, shpëton nga prangat e policisë.
Ndërkohë që në duart e policisë bien punëtorët dhe ekspertët e prodhimit të lëndës narkotike, që asesi nuk mund të cilësohen si pronarët e vërtetë të heroinës në këtë zonë.
Bëhet aksion i policisë në Sarandë një javë më parë, dhe në Shkodër e Sarandë sërish dje për arrestimin e supertrafikantit të drogës, të cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, Klemend Balili dhe ai i shpëton arrestimit, duke “lënë” në pranga një nga kushurinjtë e tij të largët.
Realizohet po dje një aksion “blitz” në Durrës për arrestimin e Lul Berishës, dhe ai “çan ferrën” dhe ikën, ndërkohë që në pranga bien ortakët e tij në Shijak, vëllezërit Avdyli, njëri prej të cilëve mëngjesin e sotëm ka dalë nga paraburgimi.
Pra kokat e krimit i shpëtojnë prangave të organeve ligjzbatuese shqiptare vetëm e vetëm se ata kanë mbrojtjen e kupolës së krimit në politikën shqiptare, e cila e gjen rrugën dhe mënyrën për t’i lajmëruar që të largohen.
Dhe dekonspirimin e aksioneve të policisë nuk e bëjnë se u dhimbsen kriminelët, por sepse ata dinë shumë dhe në mungesë të eleminimit fizik, polikanët dhe zyrtarët e lidhur me krimin, janë të detyruar t’ju shërbejnë.
“Ndiq paratë” thotë një postulat i vjetër, si opsion për t’u ndjekur në luftën kundër krimit dhe minimizimin e këtij fenomeni, për ta bërë sa më të padëmshëm për qytetarërt.
Dhe në rastin e krerëve të krimit shqiptar, organet ligjzbatuese teksa kanë dështuar në të gjitha aksionet e tyre për t’i vënë në pranga, duhet të “ndjekin” vazhdimisht “tutorët” e tyre nga radhët e politikës.
Nese kërkon të realizosh me sukses operacionin për arrestimin e Lul Berishës duhet të ndjekësh në vijimësi kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, mikun dhe ortakun e tij në punët më të pista të këtij rajoni.
Një person në kërkim ka nevojë për para, për t’i tërhequr nga banka, ka nevojë për transport, strehim dhe elementë jetësore që një njeri i thjeshtë apo ‘koleg’ kriminel nuk ia siguron dot. Këto shërbime mund t’ia sigurojë vetëm një njeri i fuqishëm nga politika.
Policia dhe organet ligjzbatuese le të ndjekin lëvizjet e Vangjush Dakos dhe menjëherë gjurmët do të të çojnë herët apo vonë tek Lul Berisha.
I njejti skenar vlen dhe për arrestimin e supertrafikantit të drogës, ish zyrtarit të lartë dhe financues i LSI Klemend Balili, që është miku i ngushtë i ish kreut të LSI Ilir Meta.
Nëse kërkon ta arrestosh Klemend Balilin, ndiq Ilir Metën presidentin aktual dhe familjen e tij, dhe patjetër gjurmët do të të çojnë tek supertrafikanti i drogës.
Dhe nëse Ilir Meta dhe familja e tij, si familje presidenciale arrin të shmangë vëzhgimin, atëherë organet ligjzbatuese duhet të ndjekin ish ministrin e Drejtësisë së LSI, Ylli Manjani.
I cili ka qënë dhe mburoja kryesore ligjore për Balilin, duke i krijuar kushtet për t’i ikur policisë, duke dekonspiruar me sa mundet aksionet e saj dhe duke i dhënë herë pas here strehim.
“PAMFLETI” informoi më shumë se një javë më parë se policia në kuadër të përpjekjeve për arrestimin e Klemend Balilit kishte ushtruar kontroll dhe në banesën e Manjanit në Sarandë, dhuratë që supertrafikanti i drogës i kishte bërë ish ministrit të Drejtësisë për shërbimet ndaj tij.
Kjo është situata në Shqipëri, teksa krimi dhe politika janë të lidhura mes tyre në atë far feje sa gjurmët të çojnë tek i njëjti vend: krimi politik. Këtë kërkojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të dërguar në burg “peshqit e mëdhenj”, pa asnjë dallim./Pamfleti