Një 16-vjeçar është vrarë me thikë në zemër pas një sherri me shokun e tij të ngushtë. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën Dionis Vrenozi ka ndodhur pasditen e djeshme në qendër të qytetit të Fierit. Mësohet se, Vrenozi nga fshati Hoxharë e Vjetër është gjetur nga kalimtarët në zonën e “Zogut të Zi” pranë gjimnazit “Janaq Kilica”. Ai është transportuar në spital në gjendje të rëndë, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë dhe ka ndërruar jetë. Menjëherë pas sinjalizimit për sherrin, policia e Fierit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Pas dëshmive të marra është bërë i mundur identifikimi i autorit të krimit. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin, Florian Gega nga fshati Dërmënas, i cili është vetëdorëzuar në polici 3 orë pas vrasjes së 16-vjeçarit.
Ndërkohë, burime për “Gazeta Shqiptare” bënë me dije se Dionis Vrenozi, Florian Gega si dhe një adoleshent tjetër, emri i të cilit nuk bëhet me dije (nxënës në një nga gjimnazet e Fierit) kanë qenë shokë të ngushtë. Pasditen e djeshme, pas mbarimit të mësimit ata kanë qenë të tre së bashku në rrugë, kur ka nisur debati mes Dionisit dhe Florianit. Mësohet se gjimnazisti tjetër nuk është përfshirë në sherr. Në grindje e sipër, Floriani ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në zemër shokun e tij të ngushtë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur në një vend të populluar, pranë gjimnazit “Janaq Kilica” dhe një tregu. “Ndonëse me thikën në gjoks, 16-vjeçari ka bërë ca hapa dhe më pas ka rënë tokë”, thanë dëshmitarët okularë të ngjarjes, të cilët kanë njoftuar menjëherë spitalin dhe policinë.
Viktima Dionis Vrenozi: