Një ndër etapat më të rëndësishme të jetës sonë, padyshim është martesa. Vitet e fundit, është bërë e qartë se të rinjtë, nuk janë aq lehtë të bindur për të marrë një vendim të tillë dhe për të bërë zgjedhjen e jetës
Sot njerëzit kërkojnë siguri për të marrë një angazhim si martesa, siç është një punë e sigurt apo të ardhura mbi mesataren.
Studimet tregojnë se të rinjtë po martohen më pak dhe më vonë në krahasim me brezat e mëparshëm, dhe kjo nuk është vetëm një tendencë globale. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se martesat kanë hyrë në një trend rënës në vitet e fundit, duke shënuar në 2017-n edhe rekordin më të ulët, sipas të dhënave të INSTAT në Vjetarin e Statistikave Rajonale.
Në vitin 2017 janë regjistruar në zyrat e gjendjen civile rreth 22,5 mijë martesa. Shifër kjo e ulur me 0,4 % krahasuar me një vit më parë, por me një rënie prej 5,7 % krahasuar me vitin 2013. Numri i martesave në vendin tonë ka pasur luhatje, duke arritur vlerën më të ulët në vitin 2017 me rreth 22,5 mijë martesa, raporton INSTAT.
Por edhe pse më rënie, disa prej qyteteve të Shqipërisë nuk e kanë humbur besimin tek institucioni i martesës.
Kryesonin listën për sa i përket shpenzimeve të larta për alkool, por ky nuk është rekordi i vetëm që ata mbajnë. Lezhjanët kanë numrin më të lartë të martesave të lidhura për 1000 banorë në 2017-n. Sipas të dhënave që ka publikuar nga INSTAT norma e martesave në qarkun e Lezhës ishte 10.2 për 1000 banorë, ndërsa mesatarja në të gjithë vendin ishte 7.7.
Përveç Lezhës, qarqe të tjera që kanë një numër më të lartë se mesatarja kombëtare për martesat e lidhura janë Berati me 9.2 martesa për 1000 banorë, Dibra me 8.7, Durrësi dhe Fieri me respektivisht 8.3 dhe Elbasani me 8.2.
Ndërsa qarqet e tjera ndjekin nga pas me një normë më të ulët se mesatarja, si Vlora ku gjatë 2017-s u lidhën rreth 7.6 martesa për 1000 banorë, apo Shkodra me 7.4 martesa për 1000 banorë.
Kukësi, Gjirokastra dhe Korça kanë pasur një normë prej 7.1 martesash për 1000 banorë gjatë vitit që lamë pas.
Sipas Monitor, rekordin më të ulët për martesat e lidhura gjatë 2017-s e mban kryeqyteti, ku është përqendruar edhe një pjesë e madhe e popullsisë, ku të ardhurat dhe shanset për të gjetur një punë janë më të larta.
Por edhe pse ka një perspektivë më të lartë në krahasim me qarqe e tjera në kryeqytetet sipas të dhënave të Instat u lidhën 6.8 martesa për 1000 banorë, apo rreth 4 martesa më pak se në Lezhë.