[sgmb id=”1″]
I pashë në fytyrë personat që vranë burrin tim. Trokitën në derë dhe kur Fatjoni ra në tokë u shokova”. Kështu ka deklaruar para hetuesve të çështjes bashkëshortja e 40-vjeçarit Fatjon Sinani, i cili mbrëmjen e së martës u ekzekutua në banesën e tij në Vlorë. Në gjendje të rëndë psikologjike, gruaja i ka treguar policisë se autorët ishin dy persona, të cilët u trokitën në derë, më pas ndodhi edhe krimi i rëndë. Ndërkaq, pas ngjarjes policia bëri me dije se kishin mundur të arrestonin njërin prej autorëve të dyshuar.
Neritan Qejvani është marrë në pyetje nga uniformat blu për të hedhur dritë mbi krimin e rëndë, por 42-vjeçari ka mohuar të jetë autor i vrasjes. Burime të besuara pranë policisë bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se Qejvani u ka thënë hetuesve se nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur, por se ka qenë duke kaluar rastësisht aty. Të njëjtat burime pohuan se me anë të metodave specifike të hetimit është identifikuar edhe i dyshuari i dytë dhe është duke u punuar për kapjen e tij. Në polici ka pasur disa persona të shoqëruar, mes të cilëve edhe familjarë e miq të viktimës, si dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Fatjon Sinani, me origjinë nga Tropoja, prej 4 vitesh jetonte në Vlorë me bashkëshorten e tij.
Një ndër pistat e policisë është se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë gjakmarrjeje të mundshme që familjarë të tij mund të kenë pasur në qytetin e origjinës. Por, burime nga policia e Tropojës pohuan dje për “GSH” se familja Sinani nga fshati Gri i Njësisë Administrative Bujan, nuk ka probleme hasmërie. Edhe banorë të zonës pohuan se është një familje shumë e mirë, e urtë e punë-tore dhe nuk kanë konflikte me askënd. Ndërsa për viktimën, banorët thanë se ishte tip disi i rrëmbyer. Po sipas tyre, ai ishte zhvendosur 4 vite më parë në Vlorë, jo për shkak të hasmërisë, por për faktin se bashkëshortja e tij ishte nga Vlora.