Tirana, Korça dhe Elbasani mbeten qytetet me ndotjen më të madhe të ajrit. Por ndryshe nga dy qytetet e tjera, Korça paraqet ndotje të ajrit vetëm gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, kur banorët përdorin dru për ngrohje. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ka një tejkalim të normës vjetore të Bashkimit Europian në dy stacionet e vendosura në kryeqytet për matjen e ndotjes.
Tek zona pranë Bashkisë, niveli i grimcave të pluhurit ka një tejkalim të normës me 56%, ndërsa ajo e vendosur pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit me 30%. Për specialistët e mjedisit, burimi kryesor i ndotjes mbetet emetimi i gazrave nga automjetet.
“Ndotja e ajrit kalon normat e Bashkimit Europian.
Ndotja e ajrit vjen kryesisht nga transporti dhe është në masën 50 % ose diçka më shumë. Zgjidhja themelore ka të bëjë me numrin e makinave, në Tiranë numri i makinave për km2 është më i madh se Amsterdami apo Berlini. Në Tiranë është 3 mijë ose më tepër për km/katror. Dendësia e popullsisë është në korrelacion të drejtë me ndotjen, sa më e madhe popullsia aq më e madhe ndotja”, thotë specialisti Lavdosh Feruni.
Në vendin tonë janë në qarkullim 557 mijë automjete, nga këto vetëm në qarkun e Tiranës janë 205 mijë, ndërsa në Elbasan 36950 automjete. Por cila është zgjidhja për uljen e nivelit të ndotjes?
“Këtu ka disa elementë që mund të përmirësohet situata në aspektin e cilësisë së karburantit, makinave të vjetrave, por këto nuk janë themelore, janë margjinale. Se sa më i madh numri i makinave, edhe ndotja është më e madhe për arsye sepse zvogëlohet shpejtësia e qarkullimit. Reduktimi kryesor i ndotjes vjen nga politikat për qytetet pa makina dhe ne duhet të inkurajojmë këtë gjë, në Shqipëri po bëhet diçka”.
Mbi 7 milionë njerëz në botë humbin jetën nga ndotja e ajrit në një vit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkarkimit të automjeteve të lehta dhe metodat tradicionale të gatimit, janë dy nga shkaktarët kryesorë të ndotjes në më shumë se 4300 qytete në 108 shtete.