Albert Veliu është ndjerë i rrezikuar në burgjet e Shqipërisë, prandaj ai ka kërkuar azil në Kosovë, dhe kërkesa e tij do të pranohet. Kështu është shprehur avokati i Albert Veliut në Kosovë Tom Gashi në një lidhje për Fax Neës. Gashi tha se Veliu, i njohur ndryshe si Babalja duhet fillimisht të njihet me refuzimin ose jo të kërkesës për azil, dhe më pas të vendoset lidhur me ekstradimin e tij. Avokati zbuloi po ashtu se gruaja dhe djali i Veliut ndodhen në azil në Belgjikë.
“Klienti im deri në nesër do të duhet që të dalë para një gjykate për tu njohur me masën e arrestit. Tashmë ai mbahet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Po situata është pak më e komplikuar, pasi Albert Veliu thotë se jeta e tij dhe e familjes është në rrezik, dhe fillimisht duhet të përfundojnë procedurat e azilit. Ai ndihet i kërcënuar për jetën, dhe ne kërkojmë që të qëndrojë këtu duke marrë azil politik. Ne kemi parë një skandal më të madh në Kosovë siç është rasti i largimit nga vendi të disa personave (gylenistëve). Nuk duhet të ndodhë që ai të largohet drejt Shqipërisë pa dokumentacionin e duhur. Duhet që Veliu të kalojë përmes procedurave ligjore, pasi akoma ka një ngërç me kërkesën e tij për azil, e cila as nuk është rrëzuar dhe as nuk është pranuar.
Gruaja e tij dhe djali ndodhen në Belgjikë, ndërsa në Kosovë bashkë me të ndodhet dhe djali që sapo ka mbushur moshën madhore. Klienti im mendon se nuk mund të jetë i sigurt në një burg në Shqipëri, unë mund të kem mendim tjetër, por unë kam detyrimin që të mbroj klientin tim”, u shpreh Gashi.