Loading...

Kulaç i ëmbël me arra ,receta fantastike e shtëpisë

Një recetë fantastike, e thjeshtë në përgatitje por me një shije të veçantë të mrekullueshme.

Përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me reçelra të ndryshëm, kafe apo çaj por edhe fruta të ndryshme të freskëta.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën unike të përgatitjes së kulaçit të ëmbël në shtëpi.
Përgatitja e Kulaçit të Ëmbël në Shtëpi
Për 1 kg miell nevojiten
2 filxhanë kafeje me vaj ulliri

1 gotë sheqer

3 kokrra vezë

3 lugë gjelle arra të shtypura

1-2 lugë gjelle me rrush të thatë ( sipas preferencës)

Sodë

Ujë
Përgatitja
Si fillim sitni miellin dhe sodën e bukës, në mënyrë që kur të përgatisim brumin të mos krijohen kokrriza.

Brumin mund ta zini direkt në tavolinë ose të përdorni një tavë të madhe të cekët.

Në një tas të vogël trazojmë vajin me sheqerin derisa të shohim që kokrrizat e tij të jetë tretur.

Po aty shtojmë dhe vezët, dhe e përziejmë sa të gjithë përbërësit të formojnë një masë homogjene.

Hedhim miellin e situr dhe në mes hapim me dorë një vend ku do të shtojmë vajin me sheqerin dhe vezët e më pas shtojmë arrat e shtypura dhe nëse preferoni edhe rrush të thatë.

AgroWeb.org ju këshillon që me ndihmën e një piruni të trazoni lehtë, dhe më pas kur brumi të jetë lidhur pak, të filloni dhe ta punoni me duar.

Në ndryshim nga brumi i kulaçit tradicional, ai i kulaçit të ëmbël do të ngjasoj në butësi me atë të biskotave.

Nëse e shikoni që brumi është pak i fortë shtoni pak ujë.

Vendoseni brumin në një tas dhe lëreni rreth 15 minuta që të fryhet.

Tek një tavë hedhim pak vaj dhe lyejmë mirë të gjithë sipërfaqen e saj, më pas e spërkatim dhe me pak miell, kështu kulaçi nuk do të ngjitet.

Brumin e punojmë përsëri dhe me ndihmën e petësit e hapim sa perimetri i tavës ku do të piqet.

Nëse dëshironi, brumi ndahet dhe në kuleç të vegjël që mund t’i vendosni me radhë në  tavë në mënyrë që kur të piqet të ketë një formë më të veçantë.

Tavën e fusim në furrë të para ngrohur me 200 gradë celsius, per rreth 40 minuta.

Pas 40 minutash me një pirun shpojmë pak kulaçin dhe shohim që nëse sipërfaqja e pirunit del e pastër, atëherë kulaçi është gati.

Ky kulaç është ideal për mëngjeset në familje, i shoqëruar me lëngje frutash të freskëta apo reçele të ndryshëm./AgroWeb.org

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com