Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku kërkon ndihmën e amerikanëve dhe gjermanëve për goditjen e peshkaqenëve dhe krimit të korrupsionit në Shqipëri. E pafuqishme për të përballuar mafien politike të Tiranës, Arta Marku ka propozuar krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me SHBA, Gjermaninë dhe vende të tjera Perëndimore, për të goditur kokat e krimit dhe korrupsionit të politikës shqiptare.
Ndërsa çdo ditë politika shqiptare prodhon krime ekonomike dhe njerëzore, kryeprokurorja, përmes një dokumenti, ka propozuar një strategji për t’iu përgjigjur kësaj situate. Kryeprokurorja shikon si zgjidhje vetëm ndihmën e FBI dhe strukturave gjermane deri kur të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, të cilat nën monitorimin e një komisioni ndërkombëtar do të nisin luftën më jetë a vdekje për mafien politike që sundon, përdhunon dhe plaçkit Shqipërinë prej 28 vitesh.
Në dokument, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, kërkon ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore, për të marrë në dorë dosjet e krimit dhe korrupsionit. Në dokument thuhet: “ Rritjen e bashkërendimit me institucionet dhe agjencitë e huaja ligjzbatuese: Ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore; Organizimin e trajnimeve për krijimin dhe funksionimin e skuadrave të përbashkëta hetimore; Rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar, ngrirë, sekuestruar e konfiskuar asetet kriminale; Organizimin e trajnimeve për njohjen me instrumentat ndërkombëtare në këtë fushë; Shkëmbimin e eksperiencave më të mira”.
Sipas kryeprokurores “Lufta ndaj krimit e veçanërisht atij të organizuar, kërkon një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare. Prokuroria ka objektiv të forcojë bashkëpunimin me autoritetet homologe, jo vetëm nëpërmjet përgjigjes së saj në kohë e me eficencë lidhur me trajtimin e
letërkërkesave të autoriteteve të huaja, por edhe në nivel operacional. Synimet kryesore në bashkëpunimin ndërkombëtar do të arrihen nëpërmjet këtyre masave: Rritjes së shpejtësisë, cilësisë dhe efektivitetit të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar; Koordinimin efiçent ndërmjet prokurorive; Vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me institucionet homologe; Krijimin e kanaleve të sigurta të komunikimit; Sugjerime për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në lidhje me Marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë në çështjet penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare, veçanërisht për skuadrat e përbashkëta hetimore, mbrojtjen e të dhënave personale në rastet me karakter ndërkufitar etj.; Realizimin e trajnimeve, takimeve, konferencave të përbashkëta”.
Edhe kryeprokurorja thotë se masat do të merren deri kur të ngrihet SPAK-u, struktura që tmerron Ilir Metën, Sali Berishën, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe ushtrinë e tyre të krimit dhe korrupsionit.
“Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të reformës në drejtësi, struktura e re që do të hetojë veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Njësia e Posaçme Hetimore, e cila emërtohet “Byroja Kombëtare e Hetimit”.
Kjo strukturë e specializuar do të ushtrojë kompetencat në mënyrë efikase dhe të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm. Deri në krijimin e kësaj strukture, çështjet në kompetencë të saj do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, sipas kompetencës të përcaktuar përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale”./Pamfleti