Kryeministri ka folur sot për çështjen e shitjes së “Telekom Albania” dhe ardhjes së një kompanie serbe që do kishte në dorë informacionet e shqiptarëve.
Shitja e `Telekom Albania` e cila aktualisht posedohet nga të ‘Deutsche Telekom’, u kthye në një çështje të sigurisë nga partnerët strategjik të Shqipërisë, SHBA dhe NATO.
Sipas ekspertëve të njohur të ekonomisë, largimi i investitorit gjerman nga telekomunikacioni shqiptar dhe shitja e gjigantit të komunikacionit ‘Telekom Albania’ te kompania shtetërore serbe ‘Telekom Serbia’, ku ka të dhëna se ka edhe aksione ruse, përbën jo vetëm një sinjal jo të mirë për ekonominë tonë, por edhe sigurisë kombëtare.
Kjo pasi kompania që ka dalë në shitje, posedon të dhëna të hollësishme, të shumicës së qytetarëve shqiptarë.
Në këtë situatë kryeministrit të Shqipërisë, i kanë ardhur së fundmi nga SHBA dhe NATO sinjale dhe ultimatume të qarta, që të tërhiqet nga ky angazhim që ka ndërmarrë së bashku me mikun e tij, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Kjo është edhe arsyeja që më në fund ditën e sotme, Edi Rama, u prononcua publikisht për këtë çështje të rëndësishme për sigurinë kombëtare, duke shpallur njëkohësisht edhe tërheqjen nga synimi serbo-rus, për të marrë nën kontroll një aset të madh të telekomunikacionit shqiptarë.
‘Bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik (Telekom Albania) nuk është preferenca jonë’, deklaroi Rama paraditen e sotme gjatë një komunikimi për median, pasi u pyet nga gazetarët për këtë çështje.
Kujtojmë se ditën e djeshme, më 8 tetor, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se do të bisedonte me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për raportimet se investimi i planifikuar i Telekomit serb në kompaninë e telekomunikacionit të Shqipërisë nuk është i mirëpritur.
‘Do të flas me Ramën sot ose nesër dhe shpresoj ta zgjidhim këtë situatë,’ tha Vuçiç në një event të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Beograd. ‘Telekom Serbia’ në tetor konfirmoi interesin e saj për blerjen e ‘Telekom Albania’, aktualisht në pronësi të ‘Deutsche Telekom’.